Triumfi 2-0 në “San Siro” përballë Lazio-s i dhuroi Inter-it kreun e Serie A, në kuotën e 24 pikëve, po aq sa Roma dhe +2 në raport me Milan, rivalin e tyre të radhës.

Pas 2 fitoreve me shumë fat, ekipi i Cristian Chivu rikthehet bindshëm, me zikaltrit që nuk e diskutuan për asnjë moment suksesin përballë Sarri-t dhe djemve të tij.

Kapiteni Lautaro Martinez hapi ndeshjen me gol, ku pas vetëm 2 minutash me një goditje të saktë stampoi topin në trepikësh. Në fraksionin e dytë, Dimarco futi një top perfekt në zonë, aty ku në shtyllën e dytë, Bonny e kishte të lehtë të shtynte topin në rrjetë. Lazio e kishte të vështirë të rikthehej në lojë, ishin dhe të pafat ku goditja e Gila-s u përplas në shtyllë.

Rezultati mbeti i pandryshuar deri në fund, me Inter që siguroi fitoren e 3 radhazi në Serie A. Cristian Chivu, trajneri i Inter shijon këtë fitore përballë Lazio-s, ndërsa nuk preferoi të flas për derbin kundër Milan:

 “Tani do të shijoj këtë fitore, do shkoj në shtëpi dhe do të kaloj kohë të mirë me familjen, më pas do të mendoj për derbin”, u shpreh Chivu.