
Lista e milionerëve amerikanë që i bashkohen lëvizjes për të mos trashëguar asgjë për fëmijët e tyre zgjerohet edhe me ish-yllin e NBA, Shaquille O’Neal.
Ish-basketbollisti ka deklaruar ashtu si Bill Gates, Mark Zuckerberg, Gordon Ramsay dhe Sting që “fëmijët e tij duhet të mësohen që t’i fitojnë vetë paratë”.
“Duhet të ecin me këmbët e tyre. Duhet të çajnë vetë në jetë dhe botë me punë e mësime”, tha ai gjatë një interviste në podcast me “Earn Your Leisure”.
E pranon se ky qëndrim i tij i ka mërzitur dhe ftohur disi raportet me fëmijët. “Por, ua përsëris gjithmonë që nuk jemi të pasur, unë jam i pasur”, shtoi basketbollisti.
Shaq O’Neal përllogaritet që të ketë fituar rreth 290 milionë dollarë përgjatë 19 viteve në NBA, ndërsa pasuria aktuale e tij vlerësohet në rreth 400 milionë dollarë. Ai është lindur dhe rritur në një lagje të varfër të Neë Jersey, ku arsimimi ishte një luks. U bë pjesë e NBA falë vullnetit të hekurt dhe punës.
“Fëmijët e mi e dinë që rregulli i vetëm është që të studiojnë. Nuk më intereson nëse luajnë apo jo basketboll. Duhet të diplomohen, ose nëse duan që të investoj te një aktivitet i tyre, duhet të më bindin me një projekt konkret. Duhet të ma shesin atë projekt”, deklaroi ai.