Trajneri i Italisë sfidon: “Do t’i sulmojmë gjithnjë me 5 lojtarë”.
Debutimi i Italisë në Europian kundër Spanjës së frikshme po troket. Hera e fundit, në një kompeticion ndërkombëtar, ka qenë pikërisht në Euro 2008 në çerekfinale: axurrët si kampionë botë, spanjollët e ardhur pas tri fitoresh në grupin e tyre. U vendos nga penalltitë pas barazimit 0-0 në 120 minuta: Italia në shtëpi dhe Spanja në gjysmëfinale, që më pas do t’i jepte mundësinë të kurorëzohej mbretëreshë e Europës. Sot, në Gdansk, Spanja e Italia përballen me role praktikisht të ndryshuara: skuadra e Del Boskes, gjatë kësaj kohe, është bërë kampione bote, Kasano me shokë duhet të fshijnë figurën e shëmtuar të bërë në Afrikën e Jugut. Në mes është miqësorja e vitit të kaluar e fituar 2-1 nga axurrët, një sukses i parëndësishëm, pasi peshojnë më shumë tri humbjet radhazi të Italisë në miqësoret e fundit, përpara nisjes për në Poloni. Skuadra e Çezare Prandelit vjen në këtë kompeticion me entuziazmin e një grupi të rinovuar në krahasim me Botërorin 2010, dhe të vetëdijshëm për kapacitetin e tij. Por java që ka shoqëruar këtë pragndeshje ka qenë më se e zhurmshme, e karakterizuar nga skandali i basteve dhe nga tri humbjet radhazi, e fundit kundër Rusisë 3-0. Axurrët do të zbresin në fushë pa mbrojtësin Barzalji dhe do të duhet të shpresojnë të rikuperojnë Kielinin. Prandeli i beson sulmit të dyshes Baloteli e Kasano, por mbi të gjitha mbështetet tek entuziazmi i grupit, i cili dëshiron të demonstrojë përsosmërinë e futbollit italian. Premisat janë gjithsesi të komplikuara, për motivet e sipërpërmendura, dhe të përballesh me Spanjën nuk ndihmon, duke marrë në konsideratë që iberikët janë kampionë në fuqi të Europës e të botës, të cilët edhe në këtë edicion nisen si favoritë për fitimin e trofeut. Spanja do të duhet të bëjë llogaritë me disa mungesa si Vija e Pujol, por mund të besojë te futbollistë që e njohin mirë njëri-tjetrin, te një grup i pasur me individualitete në mesfushë, që janë Ksavi, Iniesta e Fabregas. Tensioni është i lartë, por në konferencën për shtyp Çezare Prandeli dukej i qetë dhe i çlodhur. Të paktën në dukje. “Parandjenjat janë të mira, jemi stërvitur shumë, e kemi përgatitur ndeshjen në mënyrën më të mirë. Pesimizmi na shoqëron, por nuk na shqetëson: duhet ta mundim atë”, shton mister Prandeli. Më pas nuk kursen komplimentet për rivalët, pa dyshim Spanja është skuadra për t’u mundur, sepse ka pasur vazhdimësi rendimenti; përtej kundërshtarit, Spanja luan në të njëjtën mënyrë dhe nuk janë shumë skuadrat që mund t’ia lejojnë vetes. Ne kemi ndryshuar shumë që nga atëherë. Unë dua të shikoj skuadrën time të sulmojë gjithnjë me 5 lojtarë, nëse do të mbrohemi, do të bëjmë një gabim të madh”, përfundoi trajneri Çezare Prandeli.
Formacionet e mundshme
ITALIA (3-5-2): Bufon; Bonuçi, De Rosi, Kielini; Maxho, Tiago Mota, Pirlo, Markizio, Xhakerini; Baloteli, Kasano. Tr: Prandeli
SPANJA: (4-2-3-1): Kasiljas; Arbeloa, Serxho Ramos, Pike, Jordi Alba; Buskets, Ksabi Alonso; Ksavi, Iniesta, Silva; Fernando Torres. Tr. Del Boske
Tifozeria
Spanja e ka mundur tashmë Italinë…, të paktën për tifozët. Në Danzica ka një invazion të fansave spanjollë në mbështetje të skuadrës “Roja”
Spanja
Ksavi: Italia, nuk është vetëm “katenaço”
Do të jetë motori dhe truri i një skuadre, e cila kualitetin e ka bërë markë të fabrikës së saj. Dhe nuk do të jetë një situatë e re për Ksavin. Por regjisti katalan i Spanjës në prag të sfidës me Italinë pret të gjejë të njëjtin kujdes për lojën edhe nga ana e kundërshtarëve të tij: “Kjo e tanishmja nuk është më Italia e ‘katenaços’ së viteve të kaluara, prandaj do të jetë një ndeshje spektakolare”. Më pas Ksavi shpjegon në mënyrë më të detajuar mendimin e tij rreth kundërshtarit, duke dashur kështu të paralajmërojë shokët e tij të skuadrës se në përballjen e sotme ndaj italianëve asgjë nuk do të jetë e lehtë. “Italia ka ndryshuar shumë në mënyrën e saj të lojës, tani e mban më shumë topin, ushtron më shumë presing në mesfushë, ku luan në formë rombi me Pirlon si pikë referimi. Italia nuk mbyllet mbrapa, nuk është më ‘katenaço’ e viteve të kaluara. Tani dëshirojnë të luajnë më shumë me topin dhe të jenë protagonistë, sepse i kanë edhe lojtarët për ta bërë një gjë të tillë”, përfundoi Ksavi.
