Duket se pavarësisht dështimit në fazën kualifikuese, Italia mund të jetë pjesë e Kupës së
Botës 2026.
Këto janë raportimet e mediave të huaja, të cilat citojnë deklaratën e bërë nga biznesmeni i njohur italian, Paolo Zampolli. Ky i fundit, ka shprehur publikisht se ka kërkuar FIFA-s të kthejë “Azzurrët” në SHBA për të marrë pjesë në fazën finale të Kupës së Botës. Zampolli, ndër të tjera dhe i dërguar i posaçëm i presidentit amerikan Donald Trump dhe mik i ngushtë i tij, ka propozuar që Irani të përjashtohet dhe në këtë kompeticion të pranohet Italia.
“Konfirmoj se u kam sugjeruar Trumpit dhe Infantinos që Italia të zëvendësojë Iranin në Botëror. Unë jam italian me origjinë dhe do të ishte ëndërr që të shikoja ‘azzurrët’ në një turne të organizuar nga SHBA. Me katër trofe, ata kanë traditën për të justifikuar përfshirjen e tyre”, u shpreh Zampoli për “Financial Times”.
Por sa e mundur është të ndodhë kjo gjë?
Deri më tani mundësitë janë të pakta, pasi më herët vetë Gianni Infantino ka dalë publikisht kundër idesë përjashtimin e Iranit nga Botërori pavarësisht luftës me SHBA-të. Ai madje shtoi se futbolli është përtej politikës, duke ngjallur reagime të forta, pasi në rastin e Rusisë, politika ishte vendimtare për përjashtimin e ekipeve ruse nga çdo kompeticion i FIFA-s dhe UEFA-s. E ndoshta për shkak të këtyre reagimeve Infantino do bjerë ndesh me veten dhe do i hapë një vend atdheut të tij në këtë Kupë Bote.
Nga ana tjetër, përpjekjet e Donald Trump për të rregulluar raportet me Giorgia Melonin ndoshta do të ishin kyçe. Pas përplasjes mes tyre për Papa Leone, ndoshta Trump do përpiqet të “joshë” Melonin duke i mundësuar kualifikimin në Botëror.
