Pavarësisht tensioneve politike dhe pasigurisë që kishte shoqëruar prej muajsh pjesëmarrjen e Iranit në Kupën e Botës 2026, duket se kombëtarja iraniane do të jetë normalisht pjesë e turneut që do të zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

Mediat ndërkombëtare raportojnë se FIFA ka organizuar një takim zyrtar me drejtuesit e Federatës së Futbollit të Iranit më 20 maj në Cyrih, ku pritet të diskutohen aspektet organizative dhe procedurat që lidhen me udhëtimin e ekipit drejt Shteteve të Bashkuara.

Sipas raportimeve të Associated Press, kombëtarja e drejtuar nga Amir Ghalenoei pritet të zhvillojë në territorin amerikan të paktën tre sfidat e fazës së grupeve, ku në grup do të ketë përballë Belgjikën, Egjiptin dhe Zelandën e Re.

Lajmi është konfirmuar edhe nga presidenti i Federatës Iraniane të Futbollit, Mehdi Taj, duke lënë të kuptohet se dilemat për praninë e Iranit në Botëror po marrin fund.

Në javët e fundit kishte pasur pasiguri për shkak të situatës së tensionuar në Lindjen e Mesme, ndërsa federata iraniane kishte kërkuar që ndeshjet e ekipit të zhvilloheshin në Meksikë dhe jo në SHBA. Megjithatë, kërkesa nuk duket të jetë pranuar nga FIFA.