Italia në telashe para startit të Euro 2020. Sfida e parë e Europianit ajo mes të kaltërve dhe Turqisë është shumë afër dhe trajneri Roberto Mancini nuk do të ketë në dispozicion një tjetër element të rëndësishëm të mesfushës. 1-herë kampionët e Europës do të presin skuadrën e Senol Gunes në “Olimpico” të Romës këtë të premte, me Roberto Mancinin që po merret me detajet e fundit para kësaj ndeshjeje.
Fillimisht mesfushori i Interit, Stefano Sensi, u detyrua të largohej nga skuadra për shkak të një lëndimi, dhe në vend të tij u grumbullua Matteo Pessina i Atalantës. Por problemet tek Italia nuk mbarojnë me kaq.
Për fat të keq dhe një tjetër mesfushor braktis grumbullimin e kombëtares dhe nuk do të jetë pjesë e Euro 2020, bëhet fjalë për mesfushorin e Romës Lorenzo Pellegrini.
24-vjeçari, i cili vuan nga problemet muskulore që pas derbit ndaj Lazios, 15 majin e shkuar, së fundmi iu nënshtrua disa testeve mjekësore të cilat përcaktuan fatin e tij që nuk do të jetë pjesë e Europianit, pasi problemet muskulore nuk mund të rikuperohen në kohë. Italia i ka bërë menjëherë kërkesë UEFA-s, për ta zëvendësuar Pellegrinin me mesfushorin e Fiorentinës, Gaetano Castrovilli.