Një shenjë ringritjeje për Italinë e Mancinit, ndërsa për Francën e Zidanit ky ishte zhgënjimi i parë. Ky është, me pak fjalë, këndvështrimi i mediave franceze për paraqitjen e Të Kaltërve, të cilët mbrëmjen e së premtes në Saint-Denis morën një barazim të merituar, por edhe të papritur, në një Stade de France ku, të paktën para nisjes së ndeshjes, fitorja e Bluve dukej thuajse e sigurt.
Kishte fishekzjarre, himni kombëtar u këndua pa shoqërim muzikor, ndërsa efektet e dritave dhe të zërit, në maksimum, krijuan një atmosferë spektakolare për të festuar rikthimin e Zidanit në “tempullin” e tij. 80 mijë tifozët në Stade de France ishin të përfshirë nga entuziazmi, të bindur se do të festonin një tjetër fitore, pas atyre në Turqi dhe Belgjikë.
Por ajo që e përditshmja e kryeqytetit, Le Parisien, e cilësoi si “ndeshjen më të lehtë të javës”, u shndërrua në “më të vështirën”, duke detyruar Francën të lërë pikët e para në këtë Nations League. ‘L’Équipe’, këtë herë, e sheh nga një këndvështrim më pragmatik: ‘Nuk mjafton të këndosh kore për të tallur italianët kur je në avantazhin 1-0, duke harruar historinë e përballjeve Francë-Itali, me përmbysjet dhe egërsinë reciproke’.Dhe në fakt, siç kujton kjo e përditshme sportive, Zidani regjistroi barazimin e parë në aventurën e tij të re, “përballë skuadrës me të cilën ishte përballur për herë të fundit si lojtar. Mund të bëhej më mirë, edhe pse duhet pranuar një sinjal ringritjeje nga Italia”.
Ndërkohë, Le Figaro thekson se Italia shkoi në Francë për të shmangur një humbje të thellë dhe e vuri në vështirësi Francën me një bllok të ulët të organizuar mirë. Për Le Monde, italianët ishin të guximshëm, duke nxjerrë sërish në pah aftësinë e tyre për t’u mbrojtur.
