Futbolli i infektuar


Një letër konfidenciale e Prokurorisë së Torinos për atë të Kremonës, mund të hapë një fron të ri të hetimeve


Thellohet skandali i basteve në Itali. Prokuroria e Kremonës në Itali shpërtheu të enjten “bombën” e vërtetë në hetimet e skandalit të basteve dhe trukimit të ndeshjeve në Serinë A. Për portierin e kombëtares dhe Juventusit, Xhanluixhi Bufon, ekzistojnë dyshime të forta për përfshirjen në rrjet, pasi janë zbuluar disa transaksioneve të dyshimta me shuma të mëdha parash. Ndonëse aktualisht statusi i tij nuk rezulton si i hetuar, burime pranë prokurorisë informojnë në shtypin italian se është e mundur që të ngrihet një çështje brenda disa ditësh. Konkretisht, hetimet e Policisë Financiare kanë arritur në përfundimin se Bufon ka dërguar 14 çeqe prej 50-200 mijë eurosh në një pikë bastesh në qytetin e Parmës, e cila është në pronësi të Alfieri Masimo. Në total, në këtë destinacion portieri kampion bote në vitin 2006 ka dërguar 1,58 milionë euro. “Lëvizja e parregullt e këtyre çeqeve është regjistruar në periudhën nga janari 2010 deri më shtator 2010. Avokati Marko Valerio korini, përfaqësuesi ligjor i Bufonit prej vitesh, për të mbrojtur privatësinë e klientit të tij, nuk ka dashur të detajojë arsyen e këtyre operacioneve të vazhdueshme të çeqeve. “Vetë avokati, lexohej dje te ‘Gazzetta Dello Sport”, është limituar të përshkruajë gjithë lëvizjen e çeqeve tek Alfieri Masimo, pasi ky i fundit ishte një person absolutisht i besuar, duke shpjeguar se transfertat janë bërë gjithashtu edhe me synimin e blerjeve të disa pronave të patundshme në zonën e Parmës. Por avokati nuk ka specifikuar  ekzistencën e ndonjë dokumenti të shkruar që e konfirmon këtë. Instituti i kredive ka hedhur hipotezën se likuiditetet mund të jenë objekti i basteve të ndaluara”. Kujtojmë se rregullat e shtetit italian i ndalojnë futbollistët të vënë baste. Megjithatë, Bufon nuk është i dyshuar vetëm për çeqet dërguar bastexhinjve, pasi emri i tij ka dalë edhe nga disa përgjime telefonike. Nikola Santoni, një ish-futbollist dhe një prej të hetuarve kryesorë si drejtues i rrjetit të basteve, e ka përmendur në një bisedë Bufon, Gatuzon dhe Kanavaron si tre futbollistë “të fiksuar” pas vënies së basteve.