Trajneri i Kombëtares së futbollit, Sylvinho ka dalë sot në një konferencë për mediat, para ndeshjes miqësore që Shqipëria do luajë me Jordaninë më 14 tetor.

Sylvinho u ndal edhe tek përballja e fundit me Serbinë, fitorja që i shton shanset e kualifikimit për kuqezinjtë në Kupën e Botës 2026. Mes të tjerash, tekniku brazilian tha se e vlerëson veten me notën 8.5 ose 9 për punën që ka bërë deri më tani në drejtimin e Shqipërisë.

Ai po ashtu zbuloi se tekniku italian Roberto Mancini i ka shkruar për ta përgëzuar për fitoren.

“Nuk besoj në miqësore, sepse ti futesh në çdo ndeshje për të fituar. Është pak më e vështirë për t’i vlerësuar lojtarët se si janë prezantuar në ndeshje. Në mëngjes besoj se do të kemi 11-shen. Do të shohim si kombinohen me njëri-tjetrin. Kemi lojtarë që kanë 6 muaj me ne, por kanë bërë vetëm një ndeshje. Do të ketë hapësirë për të gjithë. Cake dhe Gripshi më kanë pëlqyer në stërvitje, por do të shohim për 11-shen që do të hedhim në fushë.

Jam pak i lodhur, duke qenë se rikthimi ishte i vonë. Nuk ishte një ndeshje normale. Llogaritë që duhet të bëjmë, janë ndeshjet që na presin. Jam i lumtur se si është përfaqësuar ekipi dhe është hera e parë që kombëtarja, në dy ndeshjet e fundit, luan çdo gjë për kualifikim që të shkojë në ‘play-off’ të Botërorit.

Nota për veten? Pas Europianit 7. Pas ndeshjes me Serbinë ndihem 8.5 ose 9. Aty u luajt futboll në fushë, por e kuptoj dhe rëndësinë e ndeshjes. Dua të jap një mesazh për lojtarët e mi: gjithsecili mund të jetë në fushë ose në pankinë. Unë nuk besoj në miqësore. Mendoj për hapin tjetër që vjen në nëntor. Të japim 100% në ato dy ndeshje. Tifozët ta mbështesin kombëtaren. Lufton me gjak, me zemër, mund të ndodhë që të humbasësh një ndeshje, por gjaku nuk i ka munguar këtij ekipi. Ne kërkojmë suportin e tifozëve.

Komplimente dhe urime. Kisha një bisedë me Mançinin. Pas ndeshjes me Serbinë më shkruajti dhe më tha bravo.“- tha Sylvinho.