Kylian Mbappé e ka bërë të qartë se këtë vit synon të fitojë për herë të parë në karrierë Topin e Artë, çmimin individual më prestigjioz në futboll.
Sulmuesi francez i Real Madridit është një prej emrave që pritet të jetë në garë për trofeun, falë statistikave të tij të spikatura. Në sezonin e kaluar, 27-vjeçari realizoi 42 gola në 44 ndeshje me fanellën e klubit madrilen, edhe pse Real Madridi nuk arriti të fitonte një trofe.
Edhe në Kupën e Botës, Mbappé la gjurmën e tij, duke fituar Këpucën e Artë me 10 gola dhe duke e çuar në 22 numrin e golave të shënuar në historinë e tij në këtë kompeticion. Megjithatë, Franca u ndal në gjysmëfinale dhe e mbylli turneun në vendin e katërt.
I pyetur për mundësinë e fitimit të Topit të Artë, Mbappé nuk e fshehu besimin te vetja.
“Kur luan për Real Madridin, njerëzit të lidhin automatikisht me Topin e Artë. Ka shumë njerëz që flasin për mua dhe për këtë çmim. Kam bërë histori në kompeticionin më të rëndësishëm. Ndoshta ky është një vit i mirë për mua, por në fund janë gazetarët ata që votojnë”, u shpreh francezi.
Mbappé foli edhe për pozicionin e tij mes futbollistëve më të mirë në botë, duke treguar edhe një herë vetëbesimin e tij.
“Unë gjithmonë mendoj se jam më i miri, por secili ka mendimin e vet. Ndoshta të tjerët mendojnë ndryshe. Nuk besoj se është një diskutim që duhet ta bëjmë”, tha ai.
Në fund, ylli i Real Madridit e përmblodhi qartë objektivin e tij: Topi i Artë mbetet një nga synimet kryesore të tij për këtë vit.
