Hugo Broos largohet nga posti i trajnerit të Afrikës së Jugut, pas pjesëmarrjes historike të ‘Bafana Bafana’ në kampionatin botëror të këtij viti.
Tekniku belg, 74 vjeçar konfirmoi se i dha fund eksperiencës së tij në stolin e skuadrës afrikanojugor pas 5 vitesh qëndrimi në këtë detyrë, periudhë kjo gjatë të cilës ai arriti të kthejë kombëtaren e Afrikës së Jugut në fazën finale të një edicioni të Kupës së Botës e për më tepër e drejtoi atë të kualifikohej për herë të parë në fazën me eliminim direkt të turneut.
Pas humbjes 1-0 ndaj Kanadasë në fazën e 1/16 të finaleve, Broos bëri të ditur se tërhiqet jo vetëm nga pankina e Afrikës së Jugut, por e lë përfundimisht profesionin e trajnerit edhe pse nuk e përjashton mundësinë që të qëndrojë në botën e futbollit si këshilltar apo vëzhgues.
Me largimin e Hugo Broos, shkon në 14 numri i trajnerëve të kombëtareve që kanë lënë detyrën e tyre pas mbylljes së aventurës në Botërorin 2026 për shkak të eliminimeve të parakohshme, ndryshimit të ciklit dhe vendimeve personale që kanë shënuar të ardhmen e shumë federatave.
Tani, Federata Afrikanojugore duhet të nisë kërkimet për pasuesin e trajnerit belg që do të kujtohet si personaliteti që regjistroiu një prej epokave më të mira në historinë e kohëve të fundit të kombëtares së Afrikës së Jugut.
