Skandali i përjashtimit të 3 futbollistëve të Kombëtares së Kosovës ka shkaktuar shumë bujë në Kosovë. Në mbrojtje të Edon Zhegrovës, Arjanet Muric dhe Florent Muslijas kanë dalë edhe ish-futbollistë, siç është rasti i Blendi Memaj.

Por ky i fundit ka bërë bujë me një deklaratë të fortë, ku krahasonte futbollistin e kombëtares shqiptare Jasir Asani dhe atij të Kosovës, Edon Zhegrova. Ai u shpreh se Asani është nivel shumë më i ulët se Zhegrova, ndërsa kjo deklaratë është marrë si një përpjekje për të krijuar përçarje mes dy vendeve.

I ftuar në “Shqipëria LIVE”, ai ka thënë deklarata e tij është nxjerrë nga konteksti. Ai nuk ka dashur të krijojë përçarje, por ka marrë Asanin si shembull për ta krahasuar me Zhegrovën, për shkak se Kosova e sheh kombëtaren kuqezi si pikë orientimi.

“Krahasimi që kam bërë ka qenë në individualitetin e tyre, për pozicionin ku luajnë. Nisur nga suksesi i Kombëtares tuaj, që ne e marrim si shembull. Ne ndjekim strukturën e nisur nga ju, për zgjedhjen e trajnerit dhe krijimi ne një grupi dhe ekipi që është prezentë në kompeticione ndërkombëtare.

Jasir Asani nuk është në nivelin e Zhegrovës, krahasim jo ideale por i nxituar. Në aspektin profesional mendoj se Zhegrova është në nivel më të lartë. Nuk i lidh dot as këpucët. Mendoj se është në nivel më të lartë. Nuk ka lidhje me ndasinë kombëtare, unë jam për bashkimin kombëtar. Kishte të bënte vetëm për rëndësinë që Zhegrova ka për kombëtaren tonë, pas përjashtimit nga grupi. U nxor e gjitha nga konteksti.”- tha ai.