Pas disfatës 2-1 në Poloni, kapiteni Berat Gjimshit u shpreh se dëshironte që lojtarët më të rinj t’ia plotësojnë në vitet e ardhshme tifozëve ëndrrën e Botërorit.

“Tani besoj që është e thjeshtë të flasësh, kishim raste të shkonim 2-0, pastaj kishim rastin për 2-1, por fati nuk deshi. Nuk ka rëndësi kush i humb rastet, jemi të gjithë të mërzitur. E filluam shumë mirë ndeshjen, i kishim të gjitha mundësitë të shkonim në finale me Suedinë. Ne që jemi më të vjetër, ishte ndoshta rasti i fundit ynë në Botëror. Shpresoj që çunat më të rinj t’ia plotësojnë këtë dëshirë tifozëve.

E dinim që kishin shtatlartësi polakët. Problemi tek ne është shtatlartësia. Sot nuk kishim aq shumë lojtarë me gjatësi dhe na ka munguar në fazën e mbrojtjes. Kemi punuar, por nuk mund të anulosh 100 për qind çdo rast. Nga gabimet përmirësojmë ndeshjet e radhës.

Shiko, për ty ndoshta në mikrofon nuk jam aq i fortë, por ka rëndësi fusha. Për atë pyetje nuk jap përgjigje, jemi të gjithë një ekip, të gjithë gabojmë. Është një pyetje shumë provokuese, i bie t’i hip pas shpine trajnerit. Jemi të mërzitur tani. Sa herë jam në fushë, jap gjithmonë maksimumin”, u shpreh kapiteni Gjimshiti për DigitAlb.