Kapiteni i Kombëtares shqiptare, Berat Gjimshiti, ka folur përpara ndeshjes miqësore me Ukrainën. Në një konferencë për mediat, kapiteni kuqezi u shpreh se dhimbja duhet kthyer në forcë dhe se ekipi kuqezi të vazhdojë përpara, pavarësisht humbjes nga Polonia.
“Rrugëtimi ka qenë shumë i mirë dhe pozitiv. Ajo humbja e prish pak atë bukurinë që kemi bërë deri tani. Përsëri jemi pozitivë. Kemi pak negativitet në kokë, por duhet ta ndryshojmë këtë gjë, ta kthejmë në forcë për të ardhmen e Kombëtares shqiptare. Kemi luajtur kundër Ukrainës më parë. Besoj se Ukraina është një skuadër shumë e fortë, për sa kohë është në këto nivele, si ne, Polonia dhe Suedia. Duhet vlerësuar ekipi kundërshtar. Gjendja e ekipit, sigurisht jemi të mërzitur, sa më shumë kohë kalon, por duhet ta kthejmë dhimbjen në forcë dhe t’i marrim diçka pozitive.
Kemi kaluar disa vite me Malinovskyin te Atalanta. Vlerësimi është shumë i madh. Edhe te Ukraina është një lojtar kyç. Gjëja më e fortë që ka Malinovskyi është goditja nga distanca. Nuk duhet ta lëmë t’i afrohet portës dhe të tentojë të gjuajë”, tha Gjimshiti.



