Jose Mourinho nuk do të jetë më në pankinën e Fenerbahçes.
Sipas raportimit të Fabrizio Romanos, klubi turk ka marrë vendimin ta shkarkojë trajnerin portugez pas eliminimit nga Liga e Kampionëve, që konsiderohej objektivi kryesor i sezonit.
Mourinho, një nga emrat më të mëdhenj të futbollit botëror, u prezantua me shumë bujë në Stamboll një vit më parë, menjëherë pas ndarjes me AS Roma. Megjithatë, aventura e tij në Turqi ka rezultuar shumë më e shkurtër nga sa pritej, pasi 62-vjeçari nuk arriti të përmbushte pritshmëritë e klubit.
Përmes një postimi në rrjetin social X, Romano theksoi se “dështimi për t’u kualifikuar në Champions ka qenë vendimtar për të ardhmen e Mourinhos në Fenerbahçe”.
Trajneri i njohur, i cili ka shkruar histori me skuadra si Porto, Chelsea, Inter, Real Madrid dhe Manchester United, nuk la gjurmë të forta në eksperiencën e tij më të fundit. Largimi nga Fenerbahçe shënon një tjetër kapitull të shkurtër në një karrierë të gjatë, por gjithnjë më të luhatshme në vitet e fundit.
Klubi pritet të dalë me një komunikatë zyrtare së shpejti, duke zbuluar planet për pasuesin e tij.
