Trajneri i Juventusit u largua pas përfundimit të ndeshjes me Gallatasarain dhe nuk doli në konferencë për mediet.
Diçka të tillë e bëri drejtori i Juves, Xhorxho Kielini që tha se është krenar për lojtarët e tij që luftuan deri në fund për kualifikimin në 1/16 e Champions League.
Mungesën e Spaletit në konferencë për mediet, Kielini e lidhi me faktin se trajneri ishte i lodhur psikologjikisht pas 120 minutash lojë.
“Jemi të lodhur dhe të zhgënjyer me rezultatin përfundimtar, veçanërisht pas përpjekjes që bëmë dhe asaj që treguam sot, por jemi gjithashtu krenarë për performancën tonë, për ndjenjën dhe atmosferën që u krijua”, tha Kielini.
Chiellini konfirmon dëshirën e Juventusit për të mbajtur Luciano Spallettin, e po ashtu shfrytëzoi rastin për të rikonfirmuar planin e klubit për të vazhduar me trajnerin dhe palët pritet që javën e ardhshme të nënshkruajnë zgjatjen e kontratës.
“Nëse e keni dëgjuar atë që kam thënë gjatë javëve të fundit, nuk ka pasur kurrë dyshime për trajnerin e ardhshëm të Juventusit, për të ardhmen e Lucianos. Mendoj se të gjithë e keni parë dhe përjetuar me ne orarin që kemi pasur në javët e fundit – mezi kemi pasur kohë të marrim frymë ose të shkojmë në shtëpi herë pas here”, u shpreh ish-mbrojtësi i Zonjës së Vjetër.
Një nga lojtarët që pati në dorë fatin e Juventusit ishte Edon Zhegrova që gaboi në të paktë dy raste përballë portës.
Futbollisti i përfaqësueses së Kosovës pati edhe një reagim pas ndeshjes.
“Sonte dhemb. Por kjo humbje është pjesë e udhëtimit tim. Krenar për ekipin dhe mentalitetin e treguar. Faleminderit të gjithë mbështetësve në stadium, ishit të mrekullueshëm”, shkroi Zhegrova në rrjetet sociale.
