Champions League


Në skenë ngjiten sonte dy supersfidat që rrëmbejnë vëmendjen dhe ku vlen vetëm fitorja


Champions League do t’i japë jetë sonte futbollit ndërkombëtar me ndeshjet e pesta në grupe. Në skenë do të ngjiten 16 skuadra në 8 ndeshje, ku spikasin dy supersfida, Juventus-Çelsi dhe Valencia-Bajern i Mynihut. Këto përballje konsiderohen si fondamentale për kualifikimin në grupet përkatëse. Për Juventusin sot vlen vetëm fitorja, nëse dëshiron të shpresojë ende te kualifikimi, të cilin do të luajë në ndeshjen e fundit të grupit ndaj Shaktarit në Donjestk. Do të jetë një detyrë e vështirë kjo e skuadrës bardhezi kundër londinezëve të frikshëm, të cilët po kalojnë një situatë problematike në kampionatin anglez. Për momentin Juventusi është i pozicionuar në vendin e tretë (6 pikë) të klasifikimit të Grupit E, pas shpatullave të Shaktarit dhe Çelsit (të dy me nga 7 pikë). Pra një fitore do të ishte e domosdoshme për skuadrën e Antonio Kontes. Për sa i përket formacionit të trajnerit italian, duket se ky i fundit ka vendosur të mbështetet te Vuçiniç dhe mbi të gjitha te Kaljarela, i cili duket në një formë të mirë në ndeshjet e fundit. Po ashtu do t’i besojë natyrisht edhe talentit të madh të Andrea Pirlos. Në anën tjetër, trajneri i Çelsit ka deklaruar se Fernando Torres mund ta nisë nga stoli ndeshjen ndaj Juventusit, një takim shumë i rëndësishëm për të dyja skuadrat për vazhdimësinë në Ligën e Kampioneve. Në Grupin F luhet ndeshja tjetër e madhe e natës së sotme mes Valencia dhe Bajernit të Mynihut. Të dyja skuadrat pozicionohen në krye të grupit me nga 9 pikë secila dhe në lojë do të jetë vendi i parë. Në raundin e pestë të ndeshjeve në grup, çdo takim bëhet deciziv, prandaj lojtarët e tyre do të kërkojnë të japin maksimumin në fushë, duke favorizuar kështu edhe spektaklin. Duke analizuar formacionet, Bajerni do të duhet të zbresë në fushë dy asat e tij, Roben e Riberi, ndërsa Valencia do të mbështetet te Soldado në sulm. Në Grupin G, Sëlltik ka 3 pikë avantazh ndaj Benfikës dhe mund të sigurojë kualifikimin me një fitore. Po ashtu edhe Barcelona në shtëpinë e Spartakut pritet të sigurojë kualifikimin. Në Grupin H, me një fitore si Klush ashtu edhe Braga mund të arrijnë vendin e dytë, mbas Mançester Junajtid të kualifikuar tashmë, por që sot do të ketë një ndeshje të vështirë në shtëpinë e Gallatasarait.


Champions League


 


SOT


Grupi E


20:45 Nordsjaeland-Shakhtar D.


20:45 Juventus-Çelsi


Grupi F


18:00 BATE Borisov-Lilë


20:45 Valencia-Bajern Mynih


Grupi G


18:00 Spartak M.-Barcelona


20:45 Benfika-Sëlltik


Grupi H


20:45 CFR Kluzh-Braga


20:45 Galatasarai-Mançester J.


 


NESËR


Grupi A


20:45 Dinamo Kiev-PSG


20:45 Porto-Dinamo Zagreb


Grupi B


20:45 Arsenal-Montpelie


20:45 Shalke-Olimpiakos


Grupi C


18:00 Zenit-Malaga


20:45 Anderleht-Milan


Grupi D


20:45 Ajaks-Borusia Dortmund


20:45 Mançester S.-Real Madrid