Seria A
Zikaltërit kanë mundur të fitojnë vetëm 19 ndeshje në 109 të luajtura në shtëpinë e bardhezinjve
Kampionëve në fuqi të Italisë do t’ju mjaftojnë vetëm dy javë për t’u mbyllur derën në fytyrë rivalëve direkt për titullin, për të festuar 115-vjetorin e krijimit dhe t’i tregojnë gjithë opinionit se mbetet skuadra më e fortë. Sfida e sotme përballë Interit, në orën 20:45 në “Juventus Stadium” do të mbyllë një periudhë intensive për Juventusin. Prej 20 tetorit, kur bardhezinjtë mposhtën 2-0 Napolin në duelin e parë për titull, kanë kaluar 14 ditë. Gjatë kësaj kohe, “Zonja e Vjetër” ka regjistruar dy fitore të vuajtura kundër Katanias e Bolonjës, klubi dhe tifozët kanë festuar përvjetorin e krijimit të klubit torinez, ndërsa tashmë vjen përballja e radhës për kreun e Serisë A. Sfiduesi është Interi, ndjekësi më i afërt në klasifikim, me 4 pikë më pak se Juventusi. Përpara “Derbit të Italisë”, drejtuesit e dy skuadrave kanë shmangur polemikat, madje për të krijuar një situatë disi normale rreth dy rivalëve të përjetshëm, presidenti Anjeli ka ftuar Moratin që të jetë i pranishëm në stadium. “Juventus Stadium” do të jetë i mbushur me kapacitet të plotë, ndërsa bardhezinjtë kanë zgjedhur heshtjen, duke mos dalë në konferencë për shtyp përpara sfidës. Gjithsesi, historia tregon se dueli duket i vendosur pa nisur: në 109 ndeshje, Interi ka fituar vetëm 19 herë. Nëse kësaj i shtohet fakti që në shtëpi skuadra e Antonio Kontes nuk ka humbur asnjëherë, bardhezinjtë shfaqen dukshëm si favoritë. Ky do të jetë një derbi rekordesh, edhe sepse Juventusi nuk njeh humbje prej 49 ndeshjesh dhe në 10 javët e para ka grumbulluar 28 pikë, një rekord historik në kampionatin italian. Vlera e lojtarëve që do të zbresin në fushë arrin shifrën e 503 milionë eurove, me futbollistët e Juventusit që vlejnë më shumë. Megjithatë, në fushë diferencat janë minimizuar dhe Interi shfaqet i frikshëm. Jo më kot, zikaltërit paraqiten në këtë ndeshje pas 8 fitoreve radhazi, nga të cilat 6 në kampionat.