juveJuventusi reagon menjëherë pas humbjes në Derbin e Italisë me Interin. Bardhezinjtë kthehen te fitorja, me goleadë përballë Cagliarit.


Rugani zhbllokoi shifrat në të 14-ën, ndërsa pas këtij momenti, bardhezinjtë mbyllën virtualisht sfidën me dy gola në harkun e 5 minutave. Gonzalo Higuain dyfishoi rezultatin në të 34-ën dhe Dani Alves realizoi golin e tretë. Në fundin e sfidës, autogoli i Ceppitelli vulosi suksesin 4-0 të kampionëve të Italisë, që rikthehen në krye të Serisë A me 12 pikë, duke përfituar edhe nga ndalesa e Napolit.


Skuadra ku kuqeziu Elseid Hysaj luajti gjatë gjithë ndeshjes, u frenua në barazim pa gola në fushën e Genoa-s. Skuadra e Sarrit nuk arriti të shfrytëzonte rastet e krijuara, ku spikasin një traversë e Hamsik, tentativa e Hysajt dhe Milik që u frenua nga portieri Perin. Napoli mbetet i pathyer në këtë sezon, por dy pikët e humbura në stadiumin “Luigi Ferraris” i kushtojnë kreun ndërsa Roma dhe Interi mbeten aty për të përfituar në çdo hap fals.


Verdhekuqtë mposhtën 4-0 Crotonen, në një sfidë pa histori, me El Shaaraëy dhe Salah që shënuan prej fraksionit të parë të sfidës.  Në 45 minutat e mbetura, Edin Dzeko realizoi dy herë për skuadrën e Spalletit, që u kthye te suksesi pas humbjes me Fiorentinën.


Interi kaloi pa vështirësi 2-0 në fushën e Empolit, falë kapitenit Mauro Icardi në formë të jashtëzakonshme. Sulmuesi argjentinas mbylli çdo diskutim në harkun e 17 minutave, duke tërhequr zikaltërit drejt fitores së tretë radhazi.


Përfundoi në barazim pa gola sfida në Adriatico ndërmjet Pescara-s dhe Torinos, ku dëmtimi i Arlind Ajetit bëri që derbi i shqiptarëve në fushë të mungonte.


Te Pescara, Manaj u aktivizua si zëvendësues në të 63-ën dhe vetëm dy minuta më pas kishte shansin të shënonte, por Zappacosta në vijën e portës i prishi festën.


I pafat ishte kapiteni Ledian Memushaj, që fillimisht u frenua nga portieri Hart, ndërsa më pas goditja e tij e shkëlqyer nga distanca u përplas në shtyllë. Edhe pse Torino e mbylli sfidën me 9 lojtarë, Pescara nuk arriti të gjente golin e fitores, madje rrezikoi ta pësonte nga kundërsulmet e “granatave”.


Më parë gjatë mbrëmjes së të mërkurës, Bologna fitoi 2-0 në shtëpi përballë Sampdorias. Verdi zhbllokoi shifrat në fundin e pjesës së parë me një gol të jashtëzakonshëm, ndërsa Destro në startin e fraksionit të dytë vulosi suksesin e tretë në shtëpi për Bolognan.


22 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)