Trajneri i ri i Kombëtares shqiptare, Rolando Maran, ka folur me tone optimiste për njohjen e tij me skuadrën dhe objektivat që e presin në drejtimin e kuqezinjve.

Maran theksoi se e ka ndjekur nga afër Kombëtaren shqiptare dhe njeh mirë shumë prej lojtarëve, duke treguar se ka analizuar disa ndeshje të ekipit. Madje thekson se ka marrë edhe disa këshilla nga ish-tekniku Gianni De Biasi, të cilat i vlerëson.

“E njoh mirë, shumë lojtarë i njoh se kam parë shumë ndeshje të Shqipërisë, madje i kam riparë disa prej tyre, kam folur me De Biasi, përderisa është një mik i mirë është një trajner që e vlerësoj shumë për atë që ka dhënë. Më ka dhënë disa indikacione që i vlerësoj. Nëse s’do ta mendoja s’do të isha këtu, janë mundësitë për të arritur objektivat, s’do të jetë e thjeshtë por mund t’ja dalim. Me ato që ju keni, ne kemi mundësi për të bërë më tepër edhe ndaj skuadrava që mund të jenë më të forta në letër, të arrijmë objektivin për të qenë në krye”, tha ai në konferencë për shtyp.