Duket se ish-deputeti Selami Jenishehri nuk është dorëzuar për realizimin e ëndrrës së tij, për t’u bërë trajneri i Kombëtares shqiptare të futbollit.
Ashtu si në vitin 2023, kur Shqipëria ishte gati të niste kualifikueset për Euro 2024, ai i ka dërguar një tjetër letër FSHF-së dhe trajnerit brazilian Sylvinho.
Këtë herë në letër, Jenisheri thotë se do që ta ndihmojë teknikun në fazën përgatitore të futbollistëve për ndeshjen mes Shqipërisë dhe Serbisë. Ai shprehet se si një trajner futbolli, dëshiron që të aftësojë më shumë teknikisht djemtë e skuadrës.
Kujtojmë se në letrën e dërguar më 20 shtator të vitit 2023, ai kërkonte që të bëhej trajner pasi teknikat e tij do e dërgonin Shqipërinë në europian, më mirë se çdo trajner tjetër.
Letra e plotë:
Unë jam Selami Jenishehri Deputet i Kuvendit të Shqipërisë i legjislacionit të IX të Republikës së Shqipërisë dhe trainer futbolli (ish këshilltar i trajnerit të ekipit kombëtar të Shqipërisë). Ngaqë kisha nxjerrë një lloj stërvitje për me aftësue futbollistat teknikisht e që me porosi të FSHF u eksperimentua dhe doli që ishte në nivel shumë më të lartë se ajo që publikonte FIFA dhe që e dini Juve.
Meqenëse ndeshja me Serbinë është e një rëndësie dhe politike e një rëndësie të veçantë dhe futbollistët shqiptarë që ju keni në dispozicion nuk kanë si ta dinë, po ju lutem të më jepni mundësinë të ju a ve në dispozicion futbollistëve (sidomos sulmues, por jo vetëm) që të bëj që 100% ndeshjen ta fitojmë me Serbinë.
E kuptoj vështirësinë Tuaj që ta besoni, por është një e vërtetë e madhe, që do ta shohësh vetë për 3–4 ditë futbollistët e fitojnë atë shprehi për ta ekzekutuar në lojë.
Me shpresë se keni dëshirën Tuaj të padiskutueshme për ta fituar ndeshjen Shqipëri–Serbi do të plotësoni kërkesën time që futbollistët të njihen me këtë progres, e ndeshja sigurisht të fitohet me rezultat të mirë nga Shqipëria.