Vllaznia ka reaguar me një deklaratë zyrtare pas aludimeve që janë përhapur në media dhe rrjete sociale për integritetin e ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit.
Në reagimin nga klubi, në emër të presidentit Alban Xhaferi theksohet se Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cënon ndershmërinë e garës. Më tej, thuhet se klubi përfaqëson një qytet me histori dhe traditë dhe çdo sukses i arritur ka ardhur përmes punës, përkushtimit dhe meritës në fushë.
Reagimi nga klubi i Vllaznisë:
Gjatë ditëve të fundit janë përhapur në disa media dhe rrjete sociale aludime dhe komente lidhur me integritetin e ndeshjeve në këtë fazë të kampionatit. KF Vllaznia, përmes Presidentit Alban Xhaferi, ndjen detyrimin të sqarojë publikisht dhe me përgjegjësi:
Vllaznia nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë kurrë pjesë e asnjë marrëveshjeje që cënon ndershmërinë e garës. Ky klub përfaqëson një qytet me histori, traditë dhe dinjitet, dhe çdo arritje e jona ka ardhur dhe do të vijë vetëm përmes punës, përkushtimit dhe meritës në fushën e lojës.
Ne e kuptojmë ndjeshmërinë e opinionit publik në këtë fazë të rëndësishme të kampionatit, si dhe pritshmëritë e larta, por njëkohësisht besojmë se hedhja e dyshimeve pa prova dëmton jo vetëm klubet, por gjithë futbollin shqiptar dhe besimin e tifozëve.
Ftojmë të gjithë aktorët, mediat, opinionin sportiv dhe institucionet, të tregojnë maturi dhe përgjegjësi në komunikim. Çdo pretendim duhet të mbështetet në fakte dhe të trajtohet në rrugët zyrtare.
Vllaznia do të vazhdojë rrugën e saj me seriozitet, duke folur në fushë dhe duke respektuar lojën e ndershme./ Top Channel
