Festimi i Harry Kane për fitimin e ‘Topit të Artë’ nuk përfundoi ashtu siç e kishte imagjinuar sulmuesi anglez. Pas prezantimit të trofeut para tifozëve në “Allianz Arena”, Bayern Munich u ndal në barazimin 2-2 ndaj Borussia Dortmundit, në një përballje spektakolare mes dy skuadrave që synojnë kreun e Bundesligës.

Ndeshja nisi me raste nga të dyja ekipet, ndërsa Michael Olise goditi shtyllën që në minutën e 10-të. Dortmund u përgjigj me mundësi të Jobe Bellingham dhe Ismael Saibari, por portierët mbajtën të paprekura rrjetat. Bayern u përball edhe me dy goditje të tjera, pasi Saibari dhe Serge Gnabry u detyruan të linin fushën për shkak të dëmtimeve.

Goli i parë erdhi në minutën e 38-të, kur Konrad Laimer dërgoi topin në rrjetë pas një aksioni të nisur nga Olise. Më herët, një gol i Bellinghamit ishte anuluar për faull.

Në pjesën e dytë, Harry Kane pati mundësinë të dyfishonte avantazhin nga pika e bardhë, por penalltia e tij përfundoi në traversë në minutën e 56-të. Dortmund përfitoi dhe barazoi me Serhou Guirassy në minutën e 60-të.

Kane u rikthye menjëherë në rol vendimtar, duke asistuar me kokë për Dayot Upamecano, i cili shënoi golin e dytë të Bayernit në minutën e 66-të. Anglezi ishte pranë golit edhe në minutën e 75-të, por goditja e tij përfundoi në shtyllë.

Kur fitorja dukej pranë për bavarezët, Borussia Dortmund goditi në minutën e 89-të me Fabio Silva, duke vendosur baraspeshën 2-2. Në kohën shtesë, Lennart Karl pati mundësinë t’i jepte fitoren Bayernit, por edhe goditja e tij përfundoi në traversë.

Në fund, të dyja skuadrat u ndanë me nga një pikë pas një ndeshjeje me raste të shumta dhe emocione deri në sekondat e fundit. Për Kane, mbrëmja nisi me festën e Topit të Artë, por penalltia e humbur dhe barazimi i Dortmundit i dhanë një shije të hidhur.