Futbolli belg u trondit të premten në mbrëmje nga një incident serioz, teksa sfida mes Standard Liège dhe Royal Antwerp, e zhvilluar në Stade Maurice Dufrasne, u ndërpre në minutën e 87-të. Shkak u bë goditja e gjyqtarit Lothar D’Hondt nga një gotë e hedhur nga tribuna.

Standard Liège mori avantazhin që në sekondat e para falë golit të Rafik Said, por situata ndryshoi kur Adnane Abid u përjashtua me karton të kuq para pushimit të pjesës së parë, duke i detyruar vendasit të vijonin me një lojtar më pak.

Ndërsa Antwerp po ushtronte presion të vazhdueshëm për të gjetur barazimin, gjatë një ndalese të lojës në minutën e 87-të, gjyqtari kryesor D’Hondt (31 vjeç), që ndodhej pranë vijës anësore, u godit në shpinë nga një gotë e ardhur nga shkallët e tifozëve. Objekti më pas preku edhe mesfushorin e Standardit, Tobias Mohr.

Pa vonesë, arbitri ndaloi takimin dhe u largua drejt dhomave të zhveshjes, duke sinjalizuar përfundimin e ndeshjes.

Reagimet ishin të ashpra nga të dyja palët:

Skuadra e Antwerp, e cila kërkonte me ngulm golin e barazimit, shpërtheu në protesta.

Lojtarët e Standard, që kishin mbajtur rezultatin me një lojtar më pak për më shumë se 45 minuta, u shfaqën të dëshpëruar.

Mbrojtësi Ibe Hautekiet ra në gjunjë, duke mbuluar kokën me duar, ndërsa portieri Matthieu Epolo dhe Tobias Mohr u kthyen nga tribuna e tyre me zemërim, të irrituar nga veprimi i tifozit.

Bazuar në rregullat e miratuara nga liga belge në vitin 2022, ndeshja do të vazhdojë të hënën në orën 15:00, pa praninë e publikut, duke rifilluar nga minuta e ndërprerjes dhe me rezultatin aktual në favor të Standard.

Klubi i Standard njoftoi me një deklaratë të shkurtër se autori i incidentit është identifikuar: “Tifozi që hodhi gotën ndaj gjyqtarit është identifikuar dhe ndaj tij do të ndërmerren masa ligjore për ndalimin e hyrjes në stadium, si dhe për kompensimin e dëmit të shkaktuar.”