Edhe klubi i Elbasanit reagoi pas kaosit të krijuar pas ndeshjes me Vllazninë e vlefshme për javën e dytë të Abissnet Superiore.

Klubi verdhekuq iu është përgjigjur akuzave të skuadrës shkodrane për mosrespektim të procedurave të organizimit duke i hedhur ato poshtë në mënyrë kategorike ashtu sic hodhi poshtë edhe çdo pretendim për ushtrim dhune ndaj kundërshtarëve.

KOMUNIKATA ZYRTARE E ELBASANIT

Në lidhje me pretendimet e publikuara pas ndeshjes AF Elbasani–KF Vllaznia, klubi ynë hedh poshtë kategorikisht çdo akuzë për mosrespektim të procedurave të organizimit të një ndeshjeje pa praninë e tifozëve, si dhe çdo pretendim për ushtrim dhune ndaj lojtarëve apo përfaqësuesve të ekipit kundërshtar. Theksojmë qartë se nga ana e AF Elbasanit, stafit apo personave nën përgjegjësinë apo jo të klubit nuk është ushtruar asnjë formë dhune. Përkundrazi, incidenti i dhunshëm i regjistruar pas përfundimit të ndeshjes është evidentuar dhe dënuar publikisht edhe nga Federata Shqiptare e Futbollit, në reagimin e saj zyrtar. AF Elbasani, në bashkëpunim me kompaninë e sigurisë dhe përfaqësuesit e Policisë së Shtetit, ka ndjekur me përpikëri procedurat dhe masat e nevojshme për mbarëvajtjen dhe sigurinë e ndeshjes. Ftojmë çdo palë që ka ngritur akuza ndaj klubit tonë të paraqesë fakte, prova apo materiale filmike konkrete që vërtetojnë pretendimet e bëra. Nëse paraqitet një provë e tillë për shkelje, klubi do të marrë menjëherë masat përkatëse. AF Elbasani nuk do të heshtë përballë akuzave të pabazuara dhe nuk do të lejojë që emri i klubit të përdoret për të zhvendosur përgjegjësinë për ngjarje që nuk janë shkaktuar prej tij.