Shqiptari tani pret sinjale nga Grojther Fyrthi
Altin Manallari
Rënia nga Bundesliga 1 mund të jetë një kërcënim i madh për skuadrën e Grojther Fyrthit, e cila rrezikon të humbasë disa nga lojtarët e saj më cilësorë. Shumë nga titullarët e padiskutueshëm janë në prag të largimit drejt klubeve të tjera. Por për kapitenin Mavraj ka ende shumë shanse që ai të qëndrojë te “Kleeblatt” (“Të tërfiltët”). Futbollistët profesionistë largohen nëse ata kanë mundësi, pikërisht atje ku u ofrohet më shumë para. Shembulli më aktual është Mario Gëtce. Një tjetër rregull i pashkruar në industrinë e futbollit është: “Skuadrat e rëna nga kategoria çmontohen si një anije mallrash e shkatërruar. Përveç kësaj, menjëherë nis edhe arratisja e lojtarëve kualitativë. Edhe në rastin e Grojther Fyrthit, disa nga futbollistët kryesorë janë të gatshëm për t’u larguar. Por kapiteni shqiptar duket se dëshiron të mos e braktisë anijen, por do të qëndrojë në bord. Në këtë fazë të mbylljes së sezonit në Bundesligë, Mërgim Mavraj është rregullisht në shënjestrën e pyetjeve të gazetarëve, në lidhje planifikimet e tij për të ardhmen. 26-vjeçari mbrojtës qendre e shoqëron këtë zakonisht me një buzëqeshje dhe siguron se gjithçka varet nga drejtuesit e klubit. Edhe pas fitores 2-0 në transfertë ndaj Shtutgartit, Mavrajt iu bë e njëjta pyetje. Futbollisti i kombëtares së Shqipërisë, i cili ka lindur në Hessen të Gjermanisë, së bashku me Lase Sobih e ka mbajtur të qëndrueshme qendrën e mbrojtjes së Fyrthit në “Mercedes-Benz-Arena”. Të dy mbrojtësit e qendrës kanë bërë një paraqitje vërtet të mirë”, vlerësoi trajneri Frank Kramer, i cili thotë se dëshiron me kënaqësi të vazhdonte të ndërtonte skuadrën rreth Mavrajt. Kontrata e tij me Fyrthin përfundon vetëm në vitin 2014. E njëjta gjë vlen edhe për portierin Maks Gryn dhe mesfushorin Edgar Prib. Megjithatë, dy heronjtë e ngjitjes së skuadrës në Bundesliga, së shpejti pritet të veshin fanella të tjera dhe jo atë ngjyrë tërfili. Në futbollin profesionist, kjo korrespondon me praktikat normale të biznesit. Po Mavraj mendon krejt ndryshe, edhe pse nuk është shumë bindës: “Nuk kam pse shqetësohem, unë e kam ende një vit kontratë”. Ose shqiptari, në rolin e kapitenit, ka krijuar një lidhje të fortë me tifozët dhe skuadrën ngjyrë tërfili, ose ai ende nuk ka një ofertë më të mirë. Deklaratat e fundit të tij i lënë në fuqi të dyja pistat. “Duhet të ndihemi paksa të tradhtuar”, u shpreh ai në Shtutgart: “Shumë lojtarë cilësorë nuk e kanë treguar veten te ne në këtë sezon”. Në të njëjtën frymë, Mavraj ripërtërin përkushtimin e tij ndaj klubit, të cilit ai iu bashkua para dy vitesh i ardhur nga VfL Bokum. Mavraj thekson se i detyrohet shumë Fyrthit. “Unë nuk jam nga ata që thonë, se në një situatë të vështirë qëllimi kryesor është të shpëtosh kokën tënde. Por duhet të marrësh përsipër përgjegjësi”, theksoi kapiteni shqiptar i Grojther Fyrthit