Karlo Ançeloti nuk e sheh Italinë mes pretendenteve kryesore për të fituar Kampionatin Botëror në këtë vit dhe sipas trajnerit aktual të Real Madridit, arsyeja kryesore është mungesa e një sulmuesi të madh. Ai mendon se Mario Baloteli nuk është i tillë për Italinë dhe nuk mund të krahasohet me lojtarët që kanë shumë përfaqësuese të tjera. “Italia renditet pas Spanjës, Brazilit, Gjermanisë dhe Argjentinës. Prandeli po mundohet të rinojë kontingjentin aktual, por shumë gjëra do të varen nga eksperienca në mesfushë, Italia ka varësi ndaj mesfushorëve të saj. Në sulm nuk kemi një yll. Të gjithë presim Balotelin, por ai nuk është i tillë. Ka talent, por nuk ka vazhdimësi”, deklaroi Ançeloti. Trajneri nuk e ka hedhur poshtë mundësinë që në të ardhmen të jetë pikërisht ai në kreun e kombëtares italiane të futbollit, por nuk e sheh këtë si një plan të së ardhmes të afërt. “Mund të ndodhë, por roli i trajnerit të kombëtares do të jetë puna e fundit që bëj si trajner dhe për momentin më pëlqen të drejtoj çdo ditë në fushë. Nuk po mendoj aktualisht të drejtoj një kombëtare, por do të më pëlqente në të ardhmen”.