Mosmarrëveshjet e Edison Kavanit me shokun e skuadrës së Paris Saint-Germain Nejmarit janë përkeqësuar pasi uruguaiani ka refuzuar 1 mln euro për t’i dorëzuar penalltitë brazilianit, sipas raporteve në Spanjë.


El Pais pretendon se Kavanit i është ofruar një pagesë, e cila është e ngjashme me bonusin që do të merrte nëse do të dilte golashënuesi më i mirë i klubit në Ligue 1, por sulmuesi ka refuzuar ofertën.


Nasser Al-Khelaifi, presidenti i PSG, javën e kaluar ka negociuar me Kavanin dhe përfaqësuesit e tij për të arritur një marrëveshje pas sherrit në mesin e fushës më 18 shtator në fitoren 2-0 ndaj Lyon.


Dy sulmuesit, të cilët së bashku kushtojnë 280 mln euro, u dukën si një dyshe e frikshme pas transferimit të brazilianit nga Barcelona këtë verë.


Por L’Equipe raportoi se incidenti i dyshes ka ndarë në dy kampe dhomën e zhveshjes dhe mosmarrëveshjet nuk janë zgjidhur akoma.


E përditshmja spanjolle pretendon se skuadra mban anën e Kavanit, pasi 30-vjeçari ishte gjuajtësi i penalltive përpara se të vinte Nejmar.


25 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)