Kina mori dy medalje ari në Olimpiadën Dimërore të Milano-Kortinës të mërkurën, ndërsa skiatori sensacional norvegjez Johannes Hoesflot Klaebo e ngriti në dhjetë numrin e medaljeve të arta të fituara prej tij në këtë olimpiadë.
Në ditëlindjen e vet të 22-të, Su Jiming arriti fitore në finalen e snoubordit në pjerrësi për meshkuj, me një paraqitje pothuajse të përkryer, duke i dhënë medaljen e parë të arit Kinës në këto Lojëra me 82.41 pikë, përpara Taiga Hasegawa-s të Japonisë dhe Jake Canter-it të Shteteve të Bashkuara.
Katër vjet më parë, Su përfundoi i dyti në këtë disiplinë, para se të merrte medaljen e artë në “big air”. Në Milano-Kortino, ai mori medaljen e bronzit në “big air” më 7 shkurt përpara triumfit të së mërkurës.
“Njerëzit vazhdonin të më uronin ‘Gëzuar ditëlindjen’, por unë nuk doja të kujtoja që kisha ditëlindjen,” tha ai. “Doja vetëm të fokusohesha te çdo element, nga nisja deri në kërcimin e fundit.” “Por kur më vunë medaljen e artë rreth qafës, më dukej e pabesueshme, si një ëndërr,” shtoi Su.
Pak më pas, pjesëmarrësja në pesë olimpiada Xu Mengtao fitoi medaljen e artë të dytë të Kinës duke krijuar histori, pasi u bë e para skiatore e stilit të lirë që merr medalje të arta radhazi në lojërat olimpike.
35-vjeçarja mori 112.90 pikë, duke siguruar titullin. Danielle Scott e Australisë bëri të vetën të argjendtën me 102.17 pikë, ndërsa bashkatdhetarja e Xu-së, Shao Qi, fitoi medaljen e bronztë me 101.90. Një tjetër skiatore kineze, Kong Fanyu, doli i katërta me 101.31 pikë.
“Unë bëra një kërcim shumë të mirë, një kërcim të plotë, si në ajër, si në formë, ashtu edhe në zbritje, kështu që ishte e mahnitshme,” tha veterania kineze pas fitores. “Kjo ishte olimpiada ime e pestë dhe unë thjesht u përqendrova.“
