Çdo 3 tetor, Zlatan Ibrahimovic i bën vetes një dhuratë për ditëlindje – dhe gjithmonë e ndan me ndjekësit e tij në Instagram. Siç ka ndodhur tashmë prej vitesh, ish-futbollisti zgjedh një makinë të re luksoze, duke shtuar një tjetër “xhevahir” në koleksionin e tij të pasur.
Ferrari F80, dhurata e 44-vjetorit
Këtë vit, për 44-vjetorin, Zlatan i dhuroi vetes një Ferrari F80, hipermakina më e fundit e Maranellos. Çmimi i saj kap shifrën mbi 3.5 milionë euro, pa llogaritur personalizimet. Ibrahimovic është një nga vetëm 799 klientët e privilegjuar që kanë pasur mundësinë ta blejnë këtë model, i cili ofron një kombinim spektakolar të dizajnit dhe fuqisë hibride prej 1,200 kuajsh fuqi.
Nuk ishte krejt e papritur: që në gusht, suedezi ishte parë në shoqërinë e Flavio Manzonit, kreut të dizajnit të Ferrarit, duke lënë të kuptohej për marrëveshjen e ardhshme. Madje Manzoni e kishte nderuar Ibrën me një vizatim të nënshkruar të F80-s.
Një pasion i shtrenjtë për supermakinat
Përtej trofeve në fushën e futbollit, Ibrahimovic ka mbledhur ndër vite një koleksion mbresëlënës makinash, ku Ferrari zë vendin kryesor. Përveç F80-s, në garazhin e tij gjenden:
- Ferrari SF90 XX Spider (1.030 kuaj fuqi, 0-100 km/orë në 2.3 sekonda, çmim rreth 850.000 €),
- Ferrari Monza SP2 (V12, 1.6 milion €),
- Ferrari Daytona SP3 (840 kuaj fuqi, mbi 2.3 milion €),
- Ferrari 812 Competizione (830 kuaj fuqi, V12 klasik),
- Ferrari Purosangue (SUV i parë i markës, 725 kuaj fuqi, rreth 400.000 €).
Por koleksioni nuk kufizohet vetëm tek “të kuqet” italiane. Zlatan zotëron gjithashtu Audi RS6, Maserati Gran Turismo, Porsche 918 Spyder dhe Lamborghini Urus – modele që reflektojnë forcë, stil dhe ekskluzivitet, njësoj si personaliteti i tij në fushë.