Lihen pushim shumë titullarë, ndërsa marrin ftesë Arbnor Fejzullahu dhe Afrim Taku
Ermal Kuka
Trajneri i përfaqësueses shqiptare të futbollit, Xhani De Biazi, ka vendosur që të bëjë eksperimente në ndeshjen kundër Francës, duke u dhënë më shumë hapësirë futbollistëve që kanë luajtur pak apo aspak me kuqezinjtë gjatë këtij edicioni. Për këtë arsye, trajneri ka vendosur të lërë jashtë listës prej 23 emrash shumë titullarë, të cilët mund të fillojnë pushimet e shumëpritura. Këto mungesa u kanë hapur vend të rinjve, ku spikat ftesa për herë të parë e Arbnor Fejzullahut të Partizanit dhe Afrim Takut të Tiranës.
Mungesat në listë
“Kjo është ndeshje e rëndësishme për ne, sepse është e vetmja që kemi për t’u përgatitur për dy ndeshjet vendimtare të shtatorit”, ishin fjalët me të cilat De Biazi hapi konferencën e tij për shtyp, duke sqaruar më pas zgjedhjet e tij. “Agolli luajti pak ditë më parë finalen e Kupës në Azerbajxhan, duke e fituar ashtu si kampionatin. Më datë 18 të këtij muaji ai rifillon përgatitjen, pasi do të luajë paraeliminatoret e Ligës së Kampioneve. Ndaj m’u duk e logjikshme që të kishte të paktën një moment pauze për të pushuar. E njëjta gjë vlen edhe për të gjithë lojtarët e tjerë që kemi në Zvicër, me përjashtim të Sadikut, ndaj Gashi, Xhaka, Kukeli dhe Abrashi do të kenë të njëjtin trajtim. Ajo që ka rëndësi për ne është që këta lojtarë t’i kemi të karikuar për 4 dhe 7 shtator, kur luhen ndeshjet e rëndësishme. Mendoj se pushimi dhe riaftësimi është shumë më i rëndësishëm. Nëse kjo do të ishte ndeshja vendimtare, do të ishin sakrifikuar, por kështu mendoj se është zgjidhja më e mirë për ne. E them menjëherë se do të kisha dashur të grumbulloja edhe Berat Xhimshitin e Zyrihut, por edhe për atë vlen diskutimi si për futbollistët e tjerë në Zvicër. Gjithsesi, ai ka dhënë gatishmërinë e tij për t’u bërë në shtator pjesë e familjes kuqezi”, tregoi trajneri, i cili siguroi gjithashtu se ishte shumë herët për të parashikuar nëse Mavraj do të riaftësohej në kohë pas operacionit në gju, për të luajtur ndeshjet e shtatorit. Por në shpjegimet e trajnerit mungonin referencat për “veteranët” kuqezi, si Salihi, Bulku e Curri, të cilët nuk janë ftuar për këtë ndeshje dhe me shumë mundësi nuk do të jenë pjesë e ekipit as në të ardhmen, pasi tashmë janë kthyer në rezerva.
Objektivi i miqësores
Ndonëse luan një miqësore ndaj një ekipi të fortë dhe me shumë lojtarë që aktualisht janë zgjedhje të dyta në kombëtare, De Biazi pretendon maksimumin nga ekipi i tij. “Rezultati është gjithmonë i rëndësishëm. E kam thënë gjithmonë se titulli ‘miqësore’ nuk vlen asgjë, por rezultati vlen, ashtu si dëshira për t’u përpjekur të rritemi dhe kam mundësinë që të shoh shumë lojtarë, të cilët në periudhën e fundit nuk kanë luajtur si titullarë në formacion. Një ndeshje si kjo është e rëndësishme për të kuptuar se sa forcë dhe kapacitet kanë lojtarët për t’u përqendruar në një moment të tillë të sezonit. Kundërshtari është shumë i respektueshëm, pasi Franca është një nga ekipet më të mira në arenën ndërkombëtare. Do të kenë dëshirë të hakmerren dhe të tregojnë se nuk janë të njëjtët lojtarë që takuam në Ren, ku ata nuk prisnin të luanim siç bëmë. Mendoj se do të jetë një Francë krejtësisht e ndryshme”, tha tekniku, i cili pretendon që ekipi të japë gjithmonë maksimumin në fushë. “Dua të jem shumë i qartë në këtë pikë: ne nuk jemi më të mirë se Franca apo shumë skuadra të tjera. Por në një ndeshje të vetme, nëse ne bëjmë të gjitha gjërat mirë, nëse ekzekutojmë mirë goditjet e dënimit, nëse lëvizim mirë, nëse jemi agresivë dhe luftarakë në çdo top pa u dorëzuar asnjëherë, bëhet e vështirë për këdo të luajë kundër nesh. Sot, ndeshjet të vetëm i fitojnë vetëm Kristiano Ronaldo e Mesi, lojtarë me një kualitet shumë të lartë. Por ato mund t’i fitosh edhe me një goditje standarde. Lojtarët do të kenë një mundësi të mirë për të treguar veten, për të më treguar se janë aty dhe mund t’u besoj në të ardhmen.”
Vendimi i CAS
Fati i Shqipërisë në eliminatoret e Euro 2016 mund të mësohet që të premten, kur CAS i Lozanës pritet të japë vendimin përfundimtar për ndeshjen Serbi – Shqipëri. Trajneri mendon se kjo nuk do të ndikojë aspak te ndeshja ndaj Francës, ndonëse pranon se me tri pikët e mundshme, pjesëmarrja në play-off do të ishte thuajse e siguruar. “Vendimi në CAS nuk varet nga ne, ndaj duhet të përqendrohemi vetëm te ndeshja. Nëse do të dalë vendimi negativ, do të jemi të inatosur dhe do ta tregojmë në fushë një ditë më pas. Nëse do të kemi një vendim shumë pozitiv, do të jemi shumë të entuziazmuar dhe do ta tregojmë gjithashtu në fushë. Është e qartë se nëse marrim tri pikët do të kemi më shumë shanse për të shkuar në Francë. Por gjithçka varet nga ne, pasi nuk mund t’ia lejojmë vetes që të humbasim katër ndeshjet e tjera. Nëse do të merrnim këto tri pikë dhe të arrinim kuotën 10, nuk di të them nëse do të shkonim në Europian direkt apo nëpërmjet play-off. Ndoshta arrijmë gjithsesi të tretët nëse nuk fitojmë më ndeshje deri në fund. Por ajo që ka rëndësi është forca jonë, e grupit, që mund të na lejojë të luajmë si të barabartë me të gjithë, pa arrogancë”, ishin fjalët e De Biazit.
Refuzimi i Avdijajt
Donis Avdijaj ka shprehur publikisht dëshirën për të qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Por talenti 18-vjeçar ka dhënë sinjalet e para se ka bërë prapaktheu në vendimin e tij për të veshur fanellën kuqezi, pasi nëpërmjet menaxherit, ka refuzuar ftesën për t’u grumbulluar kundër Francës. “E kisha grumbulluar për këtë ndeshje. Më pas ai më kaloi në telefon menaxherin e tij, i cili më tha se Avdijaj në këtë periudhë ishte shumë i lodhur, pasi kishte luajtur shumë ndeshje, nuk kishte bërë fazë përgatitore dimërore ndaj nuk ishte në kushtet më të mira për të luajtur këtë ndeshje miqësore kundër Francës. Unë e kisha thirrur për ta përfshirë në grup, për ta njohur me të tjerët, ndoshta as nuk do të kishte luajtur. Por kjo është ajo që thotë menaxheri i tij. Sipas meje, Avdijaj kishte dëshirë që të vinte të luante me ne, por pastaj secili bën zgjedhje që i mendon më të arsyeshme”, tha tekniku i përfaqësues për futbollistin, i cili në të kaluarën ka veshur fanellën e kombëtareve të moshave të Gjermanisë.
Lista kundër Francës
Portierë
- Etrit Berisha
- Alban Hoxha
- Orges Shehi
Mbrojtës
- Naser Aliji
- Arlind Ajeti
- Renato Arapi
- Lorik Cana
- Arbnor Fejzullahu
- Elseid Hysaj
- Amir Rrahmani
Mesfushorë
- Migjen Basha
- Ergys Kaçe
- Andi Lila
- Sabien Lilaj
- Ledian Memushaj
- Odise Roshi
- Herolind Shala
- Afrim Taku
- Ermir Lenjani
Sulmues
- Bekim Balaj
- Sokol Çikalleshi
- Armando Sadiku
- Valdet Rama