FSHF ka publikuar axhendën e ekipeve kombëtare në datat e lira të UEFA-s që do të shfrytëzohen për ndeshjet zyrtare eliminatore. Kështu, përveç axhendës së kombëtares së 21 vjeçarëve e 19-vjeçarëve, është zbardhur edhe programi i Kombëtares së Parë për dy sfidat eliminatore ndaj Spanjës dhe Italisë.


Në datën 2 Tetor, trajneri Christian Panucci do të publikojë listën me lojtarët e grumbulluar për këto dy ndeshje dhe në dy ditët në vazhdim, nga rezidenca “Tropikal” do të dalin përpara mediave nga dy lojtarë të cilët do të flasin për duelin me iberikët që do të luhet në datën 6 Tetor në Alicante. Në këtë stadium, Panuci do të flasë edhe një ditë përpara sfidës.


Më pas, në datën 8 Tetor, përpara mediave do të dalin Panucci dhe kapiteni i skuadrës në stadiumin “Loro Boriçi” të qytetit të Shkodrës. Programi i trajnerit italian të skuadrës shqiptare do të mbyllet në datën 10 Tetor kur nga ambientet e FSHF ai do të bëjë edhe një bilanc të dy ndeshjeve të fundit të grupit G por edhe për të ardhmen e Kombëtares Shqiptare që do të nisë përgatitjet për eliminatoret e Euro 2020.


28 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)