Kombetarja shqiptareDe Biazi ka dubluar çdo pozicion në fushë, por ka në mendje një rreshtim ideal


Ndeshje – Berisha, Agolli, Cana, Kukeli, Abrashi dhe Xhaka janë të vetmit lojtarë që kanë luajtur si titullarë të 6 ndeshjet zyrtare të këtij edicioni. Edhe Lenjani ka luajtur në të 6 ndeshjet, por ishte zëvendësues me Armeninë


23 lojtarë – Në ndeshjet zyrtare të këtij edicioni, De Biazi ka aktivizuar në total 23 futbollistë. Për Ajetin, Gjimshitin, Bashën dhe Sadikun, ndeshja e tyre e parë e këtij edicioni ishte në sfidën e së premtes në transfertë kundër Danimarkës


Ermal Kuka


Kombëtarja shqiptare e futbollit po bëhet gati të përballojë dy ndeshjet më të rëndësishme të historisë së saj, ndaj Serbisë e Armenisë, me ndërgjegjen se ka një grup lojtarësh shumë cilësorë, me të cilin do të përballojë këta kundërshtarë. Besimi më i madh vjen nga fakti se ndryshe nga e kaluara, kur në radhët e kombëtares aktivizoheshin maksimalisht 14-15 emrat e zakonshëm, tani me emrat e grumbulluar nga trajneri Xhani De Biazi mund të rreshtohen në fushë dy formacione thuajse të barasvlefshëm. Në një periudhë kur në opinionin sportiv ka filluar diskutimi nëse është trajneri ai që ka bërë të famshme kombëtaren apo nëse ai e mori famën nga kuqezinjtë, nuk duhet harruar se 59-vjeçari ka bërë diçka të rrallë për përfaqësuesen tonë. Ai ka dubluar çdo pozicion në mënyrë cilësore në fushën e lojës, duke krijuar një grup lojtarësh ku kujtdo mund t’i besohet një fanellë titullari. De Biazi ka fituar thuajse çdo “bast”, duke prezantuar para tifozëve shqiptarë emra të panjohur për ta, për t’i kthyer menjëherë në emra të besueshëm.


Mbrojtja


I vetmi repart ku ndoshta ka vend diskutimi për cilësinë është porta, pasi portieri Berisha është i paprekshëm. Megjithatë, Orges Shehi, në paraqitjet e tij në arenën ndërkombëtare me Skënderbeun ka vërtetuar se e meriton plotësisht të cilësohet alternativë e parë e portierit të Lacios. Para portës, në qendër të mbrojtjes, deri disa muaj më parë ishte e pamendueshme që ndokush mund të zëvendësonte të paprekshmit Cana e Mavraj. De Biazi kërkoi me ngulm dhe gjeti Ajetin e Gjimshitin, dy emra me të cilët tanimë tifozët shqiptarë krenohen se bënë zap fillimisht Niklas Bendtner e më pas Kristiano Ronaldon. Në krahë, titullarët Agolli e Hysaj mund të zëvendësohen pa probleme nga Aliji e Lila, të cilët presin shansin e tyre, edhe pse i dyti preferon tashmë që të luajë në mesfushë, ashtu siç aktivizohet në klubet ku luan.


Mesfusha


Reparti i mesfushës është ai ku De Biazi ka krijuar më shumë alternativa. Nëse do të kishte mundësi, trajneri do të preferonte të luante çdo ndeshje me në qendër treshen Kukeli – Xhaka – Basha. Bashkëpunëtorëve më të afërt, ai u ka shprehur bindjen se me një treshe të tillë në formën më të mirë, nuk do të kishte frikë të luante ndaj çdo kundërshtari. Problemet fizike të Bashës kanë bërë që Abrashi të zërë vendin e tij në këtë rreshtim, por De Biazi pret me padurim kthimin në formën optimale të mesfushorit të transferuar te Luzerna, të cilit mendon t’i besojë rolin e regjisorit. Pavarësisht cilësive të padiskutueshme të Ergys Kaçes dhe Ledian Memushajt, ata mbeten alternativa të kësaj katërsheje, e cila është parësore për De Biazin.


Në krahët e mesfushës, si mbështetës për sulmin, dy zgjedhjet e para të De Biazit janë Odise Roshi dhe Ermir Lenjani. Ndonëse në krahun e djathtë ka luajtur në dy ndeshjet e fundit si titullar Shkëlzen Gashi, trajneri sheh futbollistin e Rijekës si më të përshtatshmin për atë rol, nëse do të ishte në formën më të mirë fizike. Kësisoj, nëse Roshi lë pas krahëve problemet që e kanë shoqëruar prej disa muajsh, De Biazi e planifikon si titullar ndaj Serbisë, duke kthyer përsëri Gashin në stol. Ndërsa alternativa e parë për Lenjanin, i afruar fillimisht për të zëvendësuar Agollin në prapavijë, tashmë është Armando Sadiku, pasi mesfushorët e krahëve janë mbështetësit kryesorë të sulmit në skemat e trajnerit 59-vjeçar.


Sulmi


Formacioni ideal i De Biazit parashikon praninë e vetëm një sulmuesi të mirëfilltë në fushë, pozicion që për momentin i besohet Sokol Çikalleshit. Pavarësisht bilancit prej 0 golash të shënuar nga sulmuesi gjatë eksperiencës së tij kuqezi, trajneri ka besim të verbër tek ai, duke mbajtur në stol ndoshta më shumë seç duhet Bekim Balajn, i cili në fillim të edicionit parashikohej si titullar.


Jashtë planeve


Zgjedhjet taktike apo fakti se De Biazi ka mbetur i zhgënjyer nga paraqitjet e futbollistëve të veçantë, bënë që jashtë këtyre formacioneve të mbeten emra si Meha, Rama, Salihi, Shala, Bulku apo Kapllani. Nëse Shqipëria do të fitonte të drejtën të shkonte në Europian, dy formacioneve të mësipërme do t’u shtohej edhe Alban Hoxha për të ndërtuar listën prej 23 lojtarësh, me të cilët do të paraqitej në Francë 2016. Kësisoj, lojtarët e mbetur jashtë, mungesa e të cilëve pak kohë më parë mund të cilësohej si jologjike, tashmë duhet të nxitojnë për të rifituar hapësira, për të mos humbur mundësinë historike të karrierës së tyre.


 


 


Formacioni ideal i De Biazit


Berisha


Hysaj Cana Mavraj     Agolli


Kukeli


Xhaka      Basha


Roshi                Lenjani


Çikalleshi


 


 


Formacioni alternativ


Shehi


Lila Gjimshiti  Ajeti Aliji


Abrashi


Memushaj   Kaçe


Gashi                Sadiku


Balaj