Kombëtarja shqiptare e U21 do të luajë në 30 mars një ndeshje miqësore me Uzbekistanin, një sfidë që u organizua pas anulimit të atyre me Japoninë dhe SHBA për shkak të tensioneve në Lindjen e Mesme. Trajneri Alban Bushi në një prononcim për fshf.org e vlerësoi skuadrën uzbeke dhe e konsideruar sfidën me të si të rëndësishme.

“Janë ndeshje të rëndësishme. Bëhen të rëndësishme vetë sepse kemi shumë kohë pa u grumbulluar. Jam shumë i gëzuar që do të grumbullohemi tani, do të jemi bashkë për t’u stërvitur, luajtur, për objektivat dhe qëllimet tona. Ndeshja me Uzbekistanin është një ndeshje e mirë. Ne ishim përgatitur për dy ndeshje të tjera, ndaj Amerikës dhe Japonisë. Por për shkak të problemeve në Lindjen e Mesme, miqësoret u anuluan dhe zgjodhëm si kundërshtar Uzbekistanin. Është një kundërshtar që duhet respektuar dhe vlerësuar sepse ka bërë mirë në Kupën Aziatike. Duhet të përgatitemi, e kemi parë së fundmi. Është një ekip që luan bukur futboll, të lë të luash futboll. Është një ekip interesant. Unë mendoj që do të jemi favoritë në këtë ndeshje. Ekipi është në gjendje të mirë, lojtarët kanë më shumë minuta se më përpara. Kemi marrë edhe disa lojtarë të rinj, të cilët dua t’i falënderoj që zgjodhën Shqipërinë si Gojani, Asani dhe Dibrani. Për herë të parë vijnë edhe Ergis Arifi i Teutës dhe Olsi Myrta i Laçit. Duhet të tregojnë veten e tyre, në kampionatin shqiptar kanë bërë mirë. Por U-21 është një nivel tjetër dhe do t’i shohim nëse do jenë në gjendje për t’i përballuar dhe për të qenë në të ardhmen pjesë e këtij ekipi”, tha Alban Bushi.

Në listën e të grumbulluarve të Alban Bushit figuronin 6 emra të rinj me trajnerin kuqezi që dha shpjegimin e tij për ta, por edhe për gjendjen e skuadrës.