Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së zhvilloi këtë të martë mbledhjen e radhës në “Shtëpinë e Futbollit”. Agjenda e mbledhjes përfshinte një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me zhvillimin e futbollit shqiptar, duke nisur nga ndryshimet në rregulloret e garave dhe formatet e kampionateve, deri te projektet infrastrukturore. Një nga vendimet më të rëndësishme të miratuara në mbledhjen e sotme ishte ndryshimi i formatit të kampionatit “Abissnet Superiore”, që do të hyjë në fuqi duke filluar nga sezoni 2026/2027, me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë së kampionateve, ruajtjen e interesit sportiv gjatë gjithë sezonit dhe përmirësimin e përgatitjes së klubeve shqiptare për pjesëmarrjen në kompeticionet europiane.
Nga sezoni 2026/2027, kampionati nuk do të zhvillohet më me katër faza të rregullta, 36 javë garë dhe fazën “Final 4”. Formati i ri parashikon zhvillimin e tre fazave të rregullta, me gjithsej 27 javë. Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe, bazuar në renditjen përfundimtare. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out. Gjashtë skuadrat e renditura në vendet e para do të kualifikohen në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, me një total prej 10 javësh garë. Skuadra që renditet në vendin e parë në përfundim të kësaj faze do të shpallet kampione e edicionit 2026/2027.
Katër skuadrat e renditura në vendet e fundit (nga vendi i 7-të deri në vendin e 10-të) do të marrin pjesë në fazën play-out, ku do të luajnë gjithashtu me sistem vajtje-ardhje-vajtje, në një total prej 9 javësh garë. Skuadra e renditur në vendin e fundit në përfundim të fazës play-out do të bjerë automatikisht në Kategorinë e Parë. Dy vendet e para të Kategorisë së Parë në përfundim të këtij sezoni ngjiten automatikisht në “Abissnet Superiore”. Ekipet e renditura në vendet e 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë në fazën play-off do të zhvillojnë ndeshje sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e këtyre dy çifteve do të përballen në një finale dhe fituesi i kësaj finaleje do të ngjitet në kampionatin “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm.
Ndërsa skuadra tjetër finaliste do të zhvillojë një finale me skuadrën e renditur e parafundit në fazën play-out të “Abissnet Superiore”. Fituesja e këtij dueli do të sigurojë pjesëmarrjen në “Abissnet Superiore”. Ndërkohë, duke filluar nga sezoni 2027/2028, kampionati “Abissnet Superiore” do të zgjerohet nga 10 në 12 skuadra. Sipas formatit të ri, kampionati do të zhvillohet në dy faza të rregullta, me gjithsej 22 javë garë.
Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe sipas renditjes përfundimtare pas 22 javësh. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out. Gjashtë skuadrat e para do të garojnë në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, në total 10 javë garë. Skuadra e renditur në vendin e parë do të shpallet kampione e edicionit 2027/2028.
Po ashtu, gjashtë skuadrat e renditura në gjysmën e poshtme të tabelës do të zhvillojnë fazën play-out, me sistem vajtje-ardhje dhe 10 javë garë. Dy skuadrat e renditura në dy vendet e fundit do të bien automatikisht në Kategorinë e Parë për sezonin pasardhës. Skuadra e renditur e treta e parafundit do të luajë ndeshjen e play-off-it për qëndrimin në kategori ndaj fituesit të fazës play-off të Kategorisë së Parë (luhet mes skuadrave të renditura në vendet 3-4-5-6).
Ndryshime do të ketë edhe Kategoria e Parë. Departamenti i Garave ka propozuar që ky edicion mos të ketë asnjë ndryshim dhe kampionati të vazhdojë sipas formatit me 3 faza të rregullta dhe 33 javë kampionat. Vendi i 1-rë dhe i 2-të i Kategorisë së Parë do të ngjiten automatikisht në kampionatin “Abissnet Superiore”.
Ekipet e renditura në vendet e 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë play-off do të zhvillojnë fazën gjysmëfinale sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e çifteve do të përballen në finale dhe fituesi i kësaj finaleje do të ngjitet në kategorinë “Abissnet Superiore” në sezonin e ardhshëm. Ekipi finalist do të përballet në një takim vendimtar me vendin e tretë nga fundi të “Abissnet Superiore” play-out për të përcaktuar ekipin që do të marrë pjesë në elitën e futbollit në edicionin e ardhshëm. Ndërkaq, për edicionet 2027/2028 dhe 2028/2029, është propozuar që skema e kampionatit të jetë e njëjtë si strukturë me skemën e kampionatit “Abissnet Superiore.
Sipas formatit të ri, kampionati do të zhvillohet në dy faza të rregullta, me 12 skuadra që do të luajnë përgjatë 22 javëve. Pas përfundimit të tyre, skuadrat do të ndahen në dy grupe sipas renditjes. Pikët e grumbulluara gjatë fazës së rregullt do të përgjysmohen përpara nisjes së fazave play-off dhe play-out.
Gjashtë skuadrat e para do të garojnë në fazën play-off, ku do të zhvillojnë ndeshje me sistem vajtje-ardhje, në total 10 javë garë. Skuadra e renditur në vendin e parë do të shpallet kampione e edicionit 2027/2028 dhe do të ngjitet automatikisht në “Abissnet Superiore”. Edhe ekipi i renditur në vendin e dytë të play-off do të ngjitet në kampionatin elitë. Po ashtu, gjashtë skuadrat e renditura në gjysmën e poshtme të tabelës do të zhvillojnë fazën play-out, me sistem vajtje-ardhje dhe 10 javë garë. Dy skuadrat e renditura në dy vendet e fundit do të bien automatikisht në Kategorinë e Dytë për sezonin pasardhës.
Skuadrat e renditura në vendet 3 dhe 4 të parafundit të fazës play-out në Kategorinë e Parë do të zhvillojnë ndeshje me ekipet e play-off të Kategorisë së Dytë, Grupi A dhe B. Ekipet e renditura në vendet e 3, 4, 5 dhe 6 të Kategorisë së Parë play-off do të zhvillojnë fazën gjysmëfinale sipas skemës 3 vs 6 dhe 4 vs 5. Fituesit e çifteve do të përballen në finale dhe fituesi i kësaj finaleje do të përballet në një takim vendimtar me vendin e tretë nga fundi të “Abissnet Superiore” play-out për të përcaktuar ekipin që do të marrë pjesë në elitën e futbollit në edicionin e ardhshëm./ Top Channel

