Atletikë, Federata Botërore njeh rezultatin në kampionatin maqedonas
Klodiana Shala dhe Luiza Gega tashmë e kanë të tyren vajtjen në Londër me normë kualifikimi. Sepse, sipas presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Gjergji Ruli, Federata Botërore e Atletikës dhe ajo e Europës i ka miratuar normat e realizuar prej atleteve tona në Mitingun Ndërkombëtar të Ohrit. Kështu Klodiana Shala, me kohën 23″27 në 200 metra, jo vetëm që theu rekordin kombëtar, të cilën e mbante po vetë, që nga 2006-ta. Kurse me tre të qindtat e uli normën e kualifikimit nga 23″27 në 23″30. Ndërkaq Luiza Gega në 1500 metra nga 4’08″90 që është norma B e kualifikimit për në Lojërat Olimpike “Londër 2012”, e bëri në Ohër 4’08″65. “Për këtë na vjen mirë, – thotë presidenti Ruli, – që Federata Botërore dhe ajo e Europës konfirmoi normat e realizuara nga Shala e Gega në Ohër. Ndërkohë që për konfirmimin është prononcuar edhe vetë atletja e njohur shqiptare, e cila është shprehur e kënaqur që më në fund siguroi pjesëmarrjen në Londër 2012. 33-vjeçarja ka shënuar rekordin e saj atë të pjesëmarrjes për herë të katërt në Lojërat Olimpike. Por këtë herë, ndryshe nga Sidnei, Athina e Pekini, ka një kapërcim rrënjësor. Është me normë kualifikimi, me rekord të ri kombëtar, që pretendon ta thyejë përsëri në kryeqytetin anglez. E jo vetëm kaq, por ka bërë një punë të jashtëzakonshme, krahas detyrës shtetërore të drejtoreshës së Agjencisë së Shërbimit të Sporteve, për të qenë në Lojërat Olimpike “Londër 2012”.
Më në fund u konfirmua rezultati juaj dhe keni siguruar kështu pjesëmarrjen në Londër, pas disa olimpiadave të mëparshme. Cilat janë emocionet?
Shumë të mëdha, sepse është mundi dhe djersa e një punë njëvjeçare për të arritur këtë rezultat që unë doja. Në fakt e kam tentuar që në Tiranë, kur ishte kampionati kombëtar, por nuk u bë e mundur. Megjithatë rezultatin që unë doja e gjeta në Ohër, ndërsa ka qenë një vit i vështirë, i stërmundimshëm, kurse jam e kënaqur që për herë të parë shkoj me normë kualifikimi në një olimpiadë.
Gjatë muajve të fundit duket se keni sakrifikuar shumë?
Jashtëzakonisht, sepse më është dashur të stërvitem dhe tre herë në ditë. Mos harroni që kam qenë dhe e dëmtuar, kur janë dashur seanca pafund fizioterapie, derisa arrita këtë që unë desha.
Mes drejtoreshës së Agjencisë së Shërbimit të Sporteve dhe sportistes, madje me rezultate të admirueshme, është e lodhshme për t’i bërë?
Jo dhe aq, përderisa ia kam arritur që t’i realizoj në qindpërqindëshin tim. Dhe jam e kënaqur.
Objektivat për në Kampionatin Europian dhe “Londër 2012”
Të thyejë përsëri rekordin dhe ta çojë atë nën 23 sekonda….
Kjo do të jetë pjesëmarrja juaj e fundit në një aktivitet ndërkombëtar, apo do të vazhdoni më tej?
Sportisti dhe sporti në përgjithësi nuk kanë moshë, ndërsa unë do të vazhdoj derisa të kem mundësi. Por qëllimi im është që t’i kaloj të dyja këto aktivitete ndërkombëtare me rezultate ambicioze dhe me një përfaqësim dinjitoz.
