Tekniku i bardhezinjve flet për një skuadër me pak para, e shumë motivim
Nuk ka asnjë interesim të Juventusit për Didier Drogba, Lorienten e duan, por për momentin nuk ka para. Trajneri i bardhezinjve u ka dhënë fund thashethemeve për afrimin e bomberit afrikan në skuadër gjatë konferencës së parë për shtyp për vitin 2013. “Mbyllëm një 2012 të jashtëzakonshme dhe do të më pëlqente të bënim diçka të rëndësishme, mbase edhe historike në 2013-n, në këndvështrimin e fitoreve dhe të pikëve për të hyrë në histori. Mbyllja e 2012-s me 94 pikë do të thotë që kemi përshkuar një vit kalendarik të jashtëzakonshëm. Ta ripërsërisim, nuk do të jetë e lehtë, por ky rekord është bërë për t’u thyer dhe shpresoj që t’ia dalim. Champions është një ëndërr që duhet kultivuar, duke kërkuar të bëjmë maksimumin. Skuadra është mirë dhe grupi më jep besim. Për t’ia dalë në këtë mision nuk janë të nevojshëm vetëm lojtarët e mëdhenj, por motivimet e mëdha”.
Konte është i vetëdijshëm se në ndeshjen e parë të 2013-s do të ketë përballë një Sampdoria të etur për pikë nga klasifikimi i vështirë në të cilin ndodhet, ndaj i kërkon skuadrës të ketë shumë kujdes, ndërsa nuk pranon të konfirmojë nëse blerja e fundit, Peluso, do të jetë në fushë që nga minuta e parë. Pikërisht për sa i përket merkatos, Konte ul entuziazmin e tifozerisë për afrimin e mundshëm të Didier Drogba.
“Klubi nuk ma ka propozuar kurrë blerjen e Drogba. Do të marrim në konsideratë vetëm operacione me kosto të ulët, nëse do të mund të na shërbejnë për të përmirësuar organikën. Çështja Drogba është diçka që gjendet vetëm në gazeta. Lorente? Është një lojtar interesant, për të cilin kemi folur tashmë, të shohim. Për momentin është diçka virtuale. Nëse do të vinte në janar, do të befasohesha.”