Çështja


“Dëmton markën Spanja” dhe jep “një imazh të keq të vendit”. Kështu është shprehur qeveria spanjolle në lidhje me koreografinë gjigante, flamuri katalanas i shfaqur në tribunat e “Kamp Nou”, me rastin e “El Clasico”-s Barcelona-Real Madrid, i shoqëruar me thirrjet “Pavarësi!” nga i gjithë stadiumi. Ishte ministri i Jashtëm spanjoll, Hoze Manel Garcia Margalo, ai që theksoi se është dhënë “një imazh i ndarjes së brendshme në një moment të madh tensioni”, ka projektuar përpara miliona spektatorëve në gjithë botën “një imazh të përçarjes në vend të një sforcoje bashkimi”. Kritikat e qeverisë duket se nuk janë pasqyruar në faqet e shtypit në përgjithësi. Festohet mbi të gjitha për “barazimin monumental” (La Razon), 2-2 falë dopjetave të Mesit dhe Kristiano Ronaldos, i perceptuar si “një armëpushim” (Publico) mes Barçës dhe Realit. Dhe, mbi të gjitha, si “një spektakël sportiv i cilësisë së parë” (La Vanguardia), i cili shkon përtej politizimit të një ndeshjeje “që është gjithnjë më shumë se sa një ndeshje, në çfarëdolloj rrethane”. Takimi është ndjekur në TV nga rreth 400 milionë spektatorë në të gjithë botën. Askujt prej tyre nuk i ka shpëtuar flamuri gjigant dhe mbresëlënës i Katalonjës, me vija të verdha dhe të kuqe (i formuar nga mijëra flamuj të vegjël) dhe fjala “Barca”. Nuk munguan edhe thirrjet për pavarësi nga 96.589 spektatorët në minutat 17 dhe 14, për të kujtuar datën 1714, kur Katalonja humbi luftën me mbretin. Megjithatë kjo nuk e ka zbehur aspak spektaklin që u pa në fushë.


 


Reagimet


Ministri i Jashtëm spanjoll, Hoze Manel Garcia Margalo, shprehet se “dëmton imazhin e Spanjës”, por pjesa më e madhe e shtypit u përqendrua te triumfi i sportit