Mbrojtësit Mërgim Mavraj dhe Amir Rrahmani do t’i bashkohen përfaqësueses së Bunjakut pas miratimit të De Biazit


Mergim MavrajBashkëpunimi intensiv mes kombëtares shqiptare të futbollit dhe asaj kosovare tashmë ka filluar me veprime konkrete mes palëve. Trajneri i Kosovës, Albert Bunjaku, dje ka bërë të ditur para mediave se pjesë e përfaqësueses që ai drejton për miqësoren e radhës ndaj Senegalit, do të jenë dy futbollistë që janë kontingjent aktual i kombëtareve shqiptare të futbollit, Mërgim Mavraj dhe Amir Rrahmani.


Dëmtimet apo akordi për zhvillimin e vetëm një ndeshjeje për Mehmet Hetemajn, Lum Rexhepin, Anel Raskajn, Debatik Currin dhe Dardan Rexhepin ka bërë që Kosova të ketë mungesa shumë të rëndësishme për sfidën ndaj ekipit afrikan. Për këtë arsye, Bunjaku ka kërkuar ndihmën e De Biazit, për të përforcuar radhët e ekipit të tij me futbollistë cilësorë. Pas konsultimit me trajnerin italian që drejton Shqipërinë dhe miratimit edhe nga ana e FSHF, Bunjaku ka kontaktuar, duke marrë një përgjigje pozitive, fillimisht mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare, Mërgim Mavraj, pastaj edhe mbrojtësin e kombëtares shqiptare U-21, Amir Rrahmani. I pari sapo ka zgjidhur gjithçka në lidhje me transferimin te Këlni në sezonin e ardhshëm, ndaj do t’i bashkohet kombëtares kosovare për këtë sfidë. Mavraj më pas do të bëjë pak ditë pushim, për t’u bërë pjesë e përfaqësueses shqiptare kur ajo të udhëtojë drejt Budapestit për takimin miqësor me Hungarinë, sipas akordit që mbrojtësi ka arritur me trajnerin De Biazi. Ndërkohë, Amir Rrahmani ka qenë pushim, pasi kishte mbyllur sezonin me skuadrën e Partizanit në Shqipëri, ndaj ai ishte plotësisht i gatshëm për t’iu bashkuar përfaqësueses së Kosovës për këtë sfidë.


Po gjatë ditës së djeshme, drejtuesit e FFK-së kanë bërë të ditur se kanë mbyllur gjithçka për pjesëmarrjen e Kosovës në një turne miqësor në SHBA në tetor, ku me datë 9 do të luajnë ndaj Panamasë, ndërsa me datë 12 do të vihen përballë përfaqësueses së Kanadasë. Për pjesëmarrjen në këtë turne, FFK do të përfitojë 100 mijë euro, pa harruar këtu se të gjitha shpenzimet e transportit dhe qëndrimit mbulohen nga organizatorët e këtij aktiviteti.