Mesfushori i Zvicrës, Granit Xhaka, ka uruar Kosovën për fitoren dhe arritjet e mëdha në këto kualifikuese të Kampionatit Botëror 2026.
Pas fitores ndaj Suedisë, ku Xhaka ishte edhe një ndër golashënuesit, tha për televizionin zviceran “SRF” se ende nuk janë kualifikuar, por janë me një ‘këmbë’ në Botëror, pasi Kosovës i duhet një fitore 6-0 për ti parakaluar në renditje.
“Do të donim ta festonim kualifikimin në Kupën e Botës që në këtë ndeshje, me tifozët sot. Sigurisht, duhet edhe një ndeshje për ta realizuar, por kemi respekt të madh për Kosovën”.
Më tej ai shton:
“Çfarë kanë arritur në këto kualifikuese të Kupës së Botës, Kosova, është thjesht mrekulli. Duhet të fitojnë 6-0, por nuk duhet ta marrim shumë të lehtë. Jemi praktikisht me një këmbë në fazën finale të Botërorit”, tha ai.
Xhaka ndërkohë do të udhëtojë së bashku me ekipin kombëtar të Zvicrës për në Kosovë të martën, për sfidën e fundit në kuadër të kualifikuesve për Kupën e Botës që zhvillohet në “Fadil Vokrri” të Prishtinës.
Mundësia e vetme për një kualifikim direkt, është një mrekulli nëse “Dardanët” arrijnë të fitojnë të paktën 6-0 ndaj “Helvetëve”.


