Ish-kapiteni i Kombëtares së Shqipërisë, Lorik Cana, në një intervistë ekskluzive për Klan Kosova, ka folur për ndeshjen e sotme të Kosovës ndaj Turqisë, që vlen për kualifikimin e kombëtares në Kupën e Botës.

Në ‘Kosova Today’, Cana tha se ëndrra amerikane është e mundshme për Dardanët.

Me emocione të jashtëzakonshme, ai tha se po e pret këtë ballafaqim, që mund të kthehet në një moment historik për të gjithë shqiptarët kudo në botë, raporton Klankosova.tv

“Sigurisht që Kosova ka gjasa të dalë fitimtare.

Si çdo shqiptar, në çdo lloj cepi që është, ka me pa këtë lojë me emocione të jashtëzakonshme. Por është e pamohueshme që ne të Kosovës e shohim pak më të veçantë, sepse jemi prej trojeve të Kosovës dhe është pranë një momenti historik për të gjithë shqiptarët, por edhe për krijimin e shtetit sovran të Kosovës. “ – tha Cana.

I bindur se Kosova do ta ketë të ardhmen të sigurt në këtë rrugë, Cana i prekur foli edhe nëse do të kishte merak që sonte të jetë në fushën e stadiumit “Fadil Vokrri”.

“E ardhmja e Kosovës është e sigurt. Askush nuk do të mendonte që do të ishim pranë një kualifikimi.

Do kisha merak të isha sonte në fushë, janë momente që nuk vijnë shumë herë në jetë. Por merak edhe jo, sepse kur kemi luajtur me kombëtaren e shqiptarëve, kemi përfaqësuar edhe Kosovën, si djemtë e Maqedonisë, Luginën e Malësinë.

Tash është një kapitull tjetër dhe këta djem po na bëjnë krenarë.” – u shpreh tutje ai.

Ndryshimi i madh te Kosova, sipas Canës, ka bërë që skuadra të fuqizohet dhe ta kuptojë se si vjen suksesi dhe përfaqësimi dinjitoz.

“Unë isha në Basel kur Kosova e filloi edicionin e kualifikimeve dhe unë isha në stadium atë natë. Dhe pas asaj humbje ka qenë një meritë e jashtëzakonshme, e stafit teknik, trajneri e lojtarët, me kuptu që përfaqësimi dhe suksesi vjen me tjetër lloj mentaliteti. Por është bërë një ndryshim i madh prej lojës me Suedinë dhe të gjithë më kanë pëlqyer. “

Duke folur për lojtarët në përgjithësi, Cana i përmendi disa emra të Dardanëve – me në krye Muriqin, që e konsideroi shembull të sakrificës së jashtëzakonshme, raporton Klankosova.tv

“Vedati mbetet shembull i sakrificës, është shpirt luftarak. Kosova ka bërë suksese edhe duke mos pasur kapitenin, Amirin. Muslija më pëlqen jashtëzakonisht shumë. Asllani po bëhet lojtar referencë dhe po përflitet në futbollin evropian. “

Në fund, ai foli për pritjet e tij dhe Turqinë, si një kundërshtar të fortë, por pati edhe një mesazh

“Kosova e ka kundërshtarin më të fortë që është ballafaquar deri me sot, duke përfshirë edhe Zvicrën. Por, Kosova është përballur me mentalitet të mirë dhe me lojë. Ka qenë të aftë të shënojë kudo. Ka qenë e aftë edhe të bëjë diçka që i ka munguar në të kaluarën, të vuajë, të mos pësojë dhe t’ia bëjë kundërshtarit të vështirë portën. Gjëja e vështirë ka me qenë për djemtë me qenë të fokusuar, sidomos nga rrjetet sociale. Sa ma shumë duhet të kenë fokus në lojë.”