Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, u shfaq i kënaqur në konferencën pas ndeshjes së fituar 1-0 në Gjeorgji, duke theksuar se skuadra e tij e meritoi plotësisht tri pikët. Ai vlerësoi paraqitjen e lojtarëve, duke theksuar se të gjithë kontribuan në një ndeshje të fortë.

“Ka qënë një ndeshje shumë e mirë. Ndryshimi nga ndeshja e shkuar ka qënë vetëm rezultati. Fola me Sanjol dhe më tha se e kemi merituar. Nuk dua të merrem me lojtarë specifik, të gjithë grupi ka bërë shumë mirë dhe ka qënë i motivuar,” u shpreh Sylvinho. Ai shtoi se është krenar të jetë trajner i një skuadre të tillë dhe se kjo fitore është një meritë e federatës, lojtarëve dhe tifozëve.

Trajneri nënvizoi se Shqipëria është një ekip i fortë dhe shpreson që në muajin nëntor të festojnë së bashku me shqiptarët. “Janë ekipe të mira të Europës, por duhet të punojmë me këmbë në tokë. E kemi diskutuar edhe me stafin se nuk e kemi menaxhuar si duhet ndeshjen e shkuar,” tha ai.

Për mbrojtjen, Sylvinho shprehu se është në një pozita të mirë me lojtarët, duke përmendur Ajetin dhe Ismajlin, si dhe Tucin, i cili bëri një paraqitje të mirë. “Ky është një ekip që bën shumë mirë që në 15 minutat e para, dhe ne ia dolëm. Gjeorgjia na kishte studiuar mirë, por ne e përballëm situatën,” përfundoi ai.