Deklarata
Portugezi zbulon se ka si objektiv të luajë në Botërorin 2022
Kristiano Ronaldo nuk ka ndër mend që të largohet së shpejti nga Real Madrid, siç është përfolur shpesh në mediat europiane. Pavarësisht ofertave të jashtëzakonshme ekonomike që ka marrë nga klube të tjera, portugezi për momentin është i lumtur në Madrid dhe po mendon që të mbyllë kontratën që ka me këtë klub deri në vitin 2018, para se të vendosë se çfarë do të bëjë në karrierën e tij. “U bënë 6 vite në Spanjë, ndërsa po kaq kam qëndruar edhe në Mançester. Edhe atje ishte një eksperiencë e shkëlqyer, një kampionat i fortë. Por për mua ky mbetet kampionati më i fortë në botë”, tha lojtari të cilit dje iu dorëzua trofeu i golashënuesit më të mirë në kampionatin spanjoll për edicionin 2014-2015, ku realizoi 48 gola në 35 ndeshje. “Për mua është privilegj të jem këtu. Dua të qëndroj edhe për dy vite të tjera, pastaj të shohim. Dua të jap maksimumin derisa të më mbarojë kontrata. Si ekip do të bëjmë maksimumin për të fituar trofe dhe Ligën e Kampioneve edhe një herë tjetër”, premtoi ai.
Portugezi duket më i lumtur që kur në pankinën e madrilenëve është ulur Zinedin Zidan. “Ka ndryshuar shumë gjëra, stërvitemi shumë fort që prej 3-4 javësh. Është një person me shumë karizëm, e njeh mirë futbollin dhe të gjithë lojtarët. I uroj sa më shumë suksese dhe ne do të bëjmë më të mirën që ta ndihmojmë. Benzema? Për mua nuk është më surprizë. Shpresoj që të vazhdojë me këto ritme, sepse tani vjen pjesa më e vështirë, Liga e Kampioneve, ndërsa në kampionat do të provojmë të luftojmë deri në fund”, theksoi ai në një intervistë për “Bein Sports”, ku zbuloi se plani i tij është që të vazhdojë të luajë edhe për shumë vite të tjera.
“Për mua, Katari është një vend i mirë për të jetuar. Atje mund të jetë Botërori i fundit i imi. Mua më pëlqen shumë si Katari, ashtu edhe Dubai, shkoj shpesh për pushime. Ndaj jam i lumtur, sepse atje me siguri do të zhvillohet turneu i fundit në nivel kombëtaresh për mua”, theksoi portugezi i cili duket se planifikon të luajë deri në vitin 2022.