Trajneri i Anglisë, Thomas Tuchel, ka komentuar deklaratat e Presidentit amerikan Donald Trump, i cili kritikoi zgjedhjet e tij taktike pas eliminimit të “Tre Luanëve” nga Kupa e Botës 2026.
Anglia u ndal në gjysmëfinale nga Argjentina, duke humbur 2-1 pasi pësoi dy gola në minutat e fundit të takimit. Përmbysja dramatike ka sjellë një valë kritikash ndaj teknikut gjerman, i cili është vënë në shënjestër të tifozëve, analistëve dhe ish-futbollistëve anglezë.
Mes atyre që komentuan ishte edhe Donald Trump. Gjatë një aktiviteti ku ishte i pranishëm edhe presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ai vuri në dyshim vendimin e Tuchel për ta tërhequr Harry Kane në detyra më mbrojtëse.
“Mendoj se ndoshta gabuan kur e kthyen lojtarin e tyre më të mirë në një rol mbrojtës. Nuk pretendoj se jam ekspert futbolli, por pasi kaluan në avantazh, ai vendim më duket i çuditshëm,” u shpreh Trump.
I pyetur për këto komente, Tuchel u përgjigj me humor.
“Tani po e marrim Donald Trump si ekspert futbolli?”, tha ai me ironi.
Më pas, trajneri shpjegoi se zhvillimi i ndeshjes e detyroi skuadrën të tërhiqej në mbrojtje.
“Kur kundërshtari të shtyn pranë zonës, e gjithë skuadra duhet të mbrojë. Në ato momente mbrojnë të gjithë, nga lojtari i parë deri te i fundit,” u shpreh tekniku gjerman.
Në konferencën për shtyp përpara sfidës ndaj Francës për vendin e tretë, Tuchel mori mbi vete përgjegjësinë për eliminimin, duke theksuar se nuk dëshiron të fajësojë futbollistët.
“Jam unë përgjegjësi. Nëse dikush duhet të mbajë peshën e kësaj humbjeje, atëherë e mbaj unë. Nuk ka kuptim të kërkojmë fajtorë mes lojtarëve,” deklaroi ai.
Trajneri pranoi gjithashtu se disfata ndaj Argjentinës do të mbetet një zhgënjim i madh për skuadrën.
“Na dhemb shumë kjo humbje dhe do ta mbajmë gjatë me vete. Është një plagë që nuk mbyllet lehtë,” tha Tuchel.
Ndërkohë, kritikat ndaj tij janë shtuar edhe në Angli. Ish-sulmuesi Michael Owen e përshkroi paraqitjen e kombëtares si “të turpshme”, ndërsa ish-mesfushori Nicky Butt i cilësoi zgjedhjet taktike të trajnerit “absurde”, duke kërkuar largimin e tij nga drejtimi i ekipit.
Pavarësisht reagimeve, Federata Angleze e Futbollit vazhdon t’i japë besim Tuchel, i cili është nën kontratë deri pas Kampionatit Europian 2028 dhe ka bërë të ditur se nuk mendon të largohet.
Tekniku gjerman pranoi se Anglia ka ende punë për të bërë për të arritur nivelin e skuadrave si Argjentina, Franca dhe Spanja.
“Ka ende një hendek mes nesh dhe ekipeve që kanë fituar vazhdimisht trofe. Kjo duket te mënyra si përballojnë presionin dhe te mentaliteti që kanë ndërtuar ndër vite,” përfundoi ai.
