Nënkampionët gjunjëzojnë Elbasanin. Shkodranët rikuperojnë 3 pikët e hequra nga FIFA
BALDO RAINERI – “Besoj se i argëtuam tifozët e pranishëm. Luajtëm me shpirt dhe e merituam fitoren. Suksesin ia kushtoj skuadrës, sepse ka pasur shumë kritika dhe e rëndësishme është se fituam në fushë me 11 lojtarë shqiptarë. Kam shumë lojtarë të gatshëm dhe të gjithë duhet ta fitojnë në fushë një vend në formacion”.
ERION ABULE
Zgjerohet kreu i renditjes në Superiore. Pas fitoreve të Tiranës ndaj Flamurtarit dhe Skënderbeut ndaj Laçit (ndeshje të luajtura të shtunën), edhe Kukësi ka bërë dje detyrën e tij në shtëpi. Skuadra e Artim Shaqirit ka mundur Elbasanin 3-0 me gola të Pejiç, Hoxhës dhe Dushkut. Ndërkohë, java e dytë është mbyllur me sfidën Teuta-Vllaznia, me këtë të fundit që fiton falë golit të Krujës çerekore nga fundi i ndeshjes. Po të shtunën në Fier, Partizani ka humbur përballë vendësve të Apolonisë 1-0 me gola të Cankës. Në sfidën debutuese në stadiumin “Zeqir Ymeri”, ku sportdashësit ishin të shumtë në numër, Kukësi ruan hapin me kryesuesit. Kanë mjaftuar 40 minuta që verilindorët të zhbllokojnë rezultatin falë një prej sulmuesve më të mirë në kampionatin shqiptar, Pero Pekiç. Kroati, një nuhatës i shkëlqyer i portës, ka shënuar golin e parë ndaj verdhebluve dhe të dytin personal pas atij të realizuar një javë më parë në Shkodër. Pejiç ka shfrytëzuar një kros nga e djathta, duke e dërguar topin në rrjetë pas një goditjeje brenda zonës. Pjesa e parë mbyllet 1-0 dhe Kukësi në pjesën e dytë nuk kënaqet me pak, por arrin të shënojë në minutën e 64-t me Yllin Hoxhën. Kundërshtari përpiqet të reagojë, por pa rezultat. Skuadra e Shaqirit në minutat shtesë shënon dhe golin e tretë me mbrojtësin Dushku. Një sukses i merituar dhe një sinjal i qartë për pretendentet e tjera për titull, Tiranën dhe Skënderbeun, me të cilat ndan kreun. Sigurisht është vetëm fillimi i kampionatit, por Kukësi me lojën dhe paraqitjen e këtyre dy javëve duket se nuk njeh kundërshtar. Afrimi në skuadër këtë verë i Pero Pejiçit e ka përforcuar edhe më shumë në sulm klubin e presidentit Gjici. Kroati ka shënuar dy gola në dy javë kampionat, duke qenë në krye të listës së golashënuesve më të mirë të kampionatit së bashku me Eliks Bakajn e Tiranës. Përvoja e tij në Superiore është një “thesar” për nënkampionët, aq më shumë kur mendohet se kroati ka fituar me çdo skuadër me të cilën ka luajtur në Shqipëri. Sa i takon Elbasanit, skuadra e Files mbetet akoma me zero pikë në renditje pas dy humbjeve radhazi. Rikthimi në Superiore nuk ka nisur siç duhet deri tani, ndoshta edhe pse Elbasani edhe i detyruar t’i luajë në “transfertë” takimet në shtëpi për shkak të ndërtimit të stadiumit të ri që përfundon thuajse pas një muaji. Ndërkohë, me zero pikë e sheh veten edhe Teuta. Skuadra e Hasan Likës pëson humbjen e dytë radhazi në kampionat, duke u gjunjëzuar ndaj Vllaznisë. Shkodranët rikuperojnë 3 pikët e hequra nga FIFA (e nisën kampionatin me -3 pikë) për mungesën e pagesës së një lojtari të huaj në të kaluarën. Sa i takon ndeshjes në “Niko Dovana”, goli i vetëm u shënua nga talenti Alsid Kruja, duke u kthyer buzëqeshjen tifozëve kuqeblu. Ky sukses mund të jetë një ogur i mirë për trajnerin Raineri, i cili ka dy javë pushim për shkak të ndërprerjes së kampionatit për të punuar më shumë edhe me blerjet e reja, Soza, Agirre dhe Mehmedoviç, të cilat pritet të bëjnë diferencën te Vllaznia.
Kategoria Superiore
Java e 2-të
Dje
Kukësi – Elbasani 3-0
Pejiç 40′, Hoxha 64′, Dushku 90+2′
Teuta – Vllaznia 0-1
Kruja 73′
Të dielën
Tirana – Flamurtari 1-0
Bakaj 66′
Apolonia – Partizani 1-0
Canka 80′
Skënderbeu – Laçi 2-0
Osmani 82′, Progni 90+1′
Renditja
1.Kukësi 6 2 0 0 5-1
2.Tirana 6 2 0 0 4-0
3.Skënderbeu 6 2 0 0 3-0
4.Flamurtari 3 1 0 1 2-2
5.Apolonia 3 1 0 1 1-3
6.Partizani 1 0 1 1 1-2
7.Laçi 1 0 1 1 1-3
8.Vllaznia 0 1 0 1 2-2
9.Elbasani 0 0 0 2 0:4
10.Teuta 0 0 0 2 1-3