Kukësi “kyç gojën” para Partizanit. Dy disfata në tre ndeshjet e para nën drejtimin e Mladen Milinkovic kanë rënduar klimën te Kampionët e Shqipërisë. Edhe pse përpara ndeshjes me Partizanin, një kryesfidë që gjeneron interes të jashtëzakonshëm te tifozët dhe opinioni sportiv që ende ka të freskët rivalitetin e sezonit të kaluar, drejtuesit dhe stafi teknik i Kukësit kanë vendosur të minimizojnë komunikimin mediatik me publikun. Nuk do të ketë prononcime të lojtarëve dhe trajnerit deri të shtunën e ardhshme, ndërkohë që po kaq hermetike është situata edhe për ndjekjen e seancave stërvitore.


Trajneri Mladen Milinkovic dëshiron të ruajë në sekret maksimal zhvillimet dhe aplikimin e skemave taktike gjatë seancave duke preferuar të qëndrojë larg vëmendjes mediatike. Në këtë mënyrë Kukësi ndryshe nga sezoni i kaluar, më i suksesshmi në historinë e klubit që solli edhe titullin e parë kampion ka vendosur të qëndrojë larg mediave, një vendim ky i kushtëzuar ndoshta edhe nga nisja jo perfekte e sezonit me Kukësin që humbi Superkupën e Shqipërisë përballë Tiranës, dhe pas fitores me Kamzën në kampionat  humbi në ndeshjen e parë të Kupës së Shqipërisë me një formacion eksperimental me Egnatian.


14 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)