Bardheblutë në krizë, përulen për të dytën herë në 11 ditë para verilindorëve


Altin Manallari


Edhe ndërrimi i trajnerit nuk e ndihmon dot Tiranën, e cila vijon krizën e rezultateve edhe në javën e nëntë. Ndërkohë që duket se nga java në javë po konsolidohet ideja se surpriza e vërtetë e këtij sezoni është pikërisht Kukësi, i cili i ka detyruar 24 herë kampionët e vendit të përulen para tij për të dytën herë radhazi në 11 ditë. Të mërkurën e 24 tetorit e turpëruan me fitoren 4-0 në Kukës në ndeshjen e Kupës së Shqipërisë, ndërsa dje i dhanë një tjetër shuplakë me fitoren 2-1 brenda në “Qemal Stafa”. Por në këtë impiant u konfirmua gjithashtu se bardheblutë kanë humbur edhe tifozët e tyre të zjarrtë, të paktën në numër, dhe që kontestojnë ecurinë negative të skuadrës së tyre të zemrës. Ndërkohë që verilindorët, të përfaqësuar me rreth 2 mijë fansa, fitojnë edhe “ndeshjen” në tribuna. Në fakt pritej një hakmarrje e Tiranës për humbjen turpëruese 4-0 në Kupën e Shqipërisë, por kuksianët treguan se gjithçka kanë arritur në këtë fillimsezoni nuk është e rastësishme. Pa u mbushur ende 20 minuta lojë, Popovic pengohet në zonë nga Pashaj, pas krosimit të saktë nga Allmuça. Gjyqtari Enea Jorgji nuk ka asnjë dyshim, akordon 11-metërsh, që shndërrohet në gol nga Igli Allmuça. E gjendur në disavantazh, Tirana hidhet në sulm me shumë forca, ndërsa kuksianët e kanë shumë të vështirë të dalin nga gjysmëfusha e tyre. Tentativat e njëpasnjëshme të Duros, Karabecit dhe rasti i pastër i Abilaliajt nuk sollën ndryshim tjetër rezultati në fraksionin e parë. Në 45 minutëshin e dytë, Tirana është më kërkuese dhe pas disa tentativave të dështuara arrin t’i barazojë shifrat me Gilman Likën, që devijon për në rrjetë topin e futur në zonë nga Taku. Bardheblutë besojnë te fitorja, por lënë shumë hapësira prapa. Në një kundërsulm të shpejtë me protagonistë Popoviç, Progni dhe në fund Hoxha, ky i fundit nuk i jep asnjë mundësi portierit Lika, i cili detyrohet ta nxjerrë topin nga rrjeta. Tiranën nuk e mbajnë më as nervat atëherë kur duhet të reagonte me shumë qetësi. Pas një ndërhyrje të gabuar të Musollit ndaj Ahmatajt, ky i fundit bie pre e një provokimi të Biskup, duke e goditur me gju kroatin dhe më pas thuajse e shkel me këmbë. Jorgji i tregon të kuqen, sikurse Musollit, duke i lënë të dyja skuadrat me nga 10 lojtarë. Në minutat e mbetura Kukësi ruan më fanatizëm rezultatin, duke çuar në ekstazë tifozët verilindorë. Kuksianët dalin me tri pikë të arta nga kjo transfertë, duke pasur 15 të tilla tashmë në klasifikim, të mjaftueshme për të parakaluar kryeqytetasit, që mbeten me 13 pikë pas 9 javësh kampionat. Skuadra e Cungut së bashku me Skënderbeun, mbeten të vetmet ekipe që nuk kanë pësuar asnjë humbje në këtë sezon. Ndërkohë që takimi i luajtur në Berat mes Tomorit dhe Bylisit ka përfunduar në barazim pa gola. Skuadra e Kristaq Miles nuk mundet sërish të gjejë fitoren e parë në kampionat. Ndërsa mallakastriotët e Agim Canajt morën një pikë të çmuar në transfertë dhe barazohet kështu me pikë me Kastriotin dhe Flamurtarin, duke u pozicionuar në mesin e artë të renditjes.


 


 


Superiore (Java IX)


 


TË SHTUNËN


Laçi-Luftëtari  3-0


Vucaj 12′, Buljan 16′, Nimani 65′


Shkumbini-Apolonia   0-0


Flamurtari-Kastrioti 3-0


Veliu 45′, Muzaka 88′, Memelli 90+2′


Besa-Skënderbeu 1-1


Mihani 67′ / Plaku 78′


 


DJE


Tomori-Bylis    0-0


Tirana-Kukësi   1-2


G.Lika 63′ / Allmuça 19′ (11-m), Hoxha 74′


Teuta-Vllaznia  1-0


Mançaku 28’


 


 


Klasifikimi


Skuadrat   N    P


1. Skënderbeu   9    21


2. Besa    9    15


3. Kukësi  9    15


4. Vllaznia     9    15


5. Laçi    9    14


6. Teuta   9    14


7. Tirana  9    13


8. Bylis   9    12


9. Flamurtari   9    12


10. Kastrioti   9    12


11. Luftëtari   9    7


12. Shkumbini   9    7


13. Apolonia    9    5


14. Tomori 9    4