Skënderbeu, Bylis, Kukësi dhe Laçi besojnë te kualifikimi
Altin Manallari
Me titullin e hipotekuar nga Skënderbeu dhe formimi thuajse i plotë i kuadratit të skuadrave që bien nga Kategoria Superiore, Kupa e Shqipërisë mbetet trofeu i vetëm ende në garë, ndërsa duhet ende kohë që të përcaktohet skuadrat që do të marrin pjesë në Europa League. Skënderbeu, Bylis, Kukësi dhe Laçi vijojnë të besojnë ende te finalja e këtij kompeticioni dhe te fitimi i trofeut. Për këtë arsye, ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë rrëmbejnë vëmendjen e të gjithëve, pasi interesimi është në shkallën më të lartë. Rezultatet e ndeshjeve të para e bëjnë edhe më enigmatike këtë çështje.
Bylis-Skënderbeu
Në një moment që Skënderbeu e siguruar pjesëmarrjen në Champions League si fitues (ende i pazyrtarizuar) i titullit, Bylisi e dëshiron, por edhe e ka si mundësi të vetme të arrijë Europa League nëpërmjet Kupës. Barazimi 1-1 në ndeshjen e parë ka lënë gjithçka të hapur, madje favorizon ballshiotët, të cilën sfidën e sotme do ta luajnë në shtëpi para publikut të tyre, të cilët garantojnë se do të jenë të shumtë sot në “Adush Muça”. Në favor të vendasve do të jenë 2 nga tre rezultatet, fitorja ose barazimi 0-0. Çdo barazim me mbi dy gola do t’i eliminonte automatikisht. “Ekipi është i grumbulluar që ditën e diel, i motivuar i përgatitur për ndeshje, u shpreh dje presidenti i Bylisit, Besnik Kapllanaj, i cili beson te kualifikimi. Rezultati 1-1 na favorizon. Që në ndeshjen e parë theksova se ne shkonim në Korçë për të fituar. Por në kthim, me mbështetjen e tifozerisë kam besim se do të mund të bëjmë më të mirën në këtë ndeshje”. Për Bylisin, kualifikimi do t’i dhuronte finalen për herë të parë në historinë e tij. Ndërsa Skënderbeu në të kaluarën ka qenë katër herë finalist, por i ka humbur të katërta. Megjithatë, në Korçë të gjithë e shohin si viti i duhur që skuadra e tyre të fitojë të dy trofetë, titullin dhe Kupën, ndaj nuk kanë ndërmend të falin, por më parë duhet të kalojnë Bylisin. “Pozita në kampionat, na jep një farë avantazhi, që të mendojmë më shumë për Kupën”, tha trajneri i Skënderbeut, Mirel Josa. Ndeshjet e Kupës janë specifike, luhen me dy ndeshje dhe kundërshtari ynë është shumë i fortë. Meqë erdhëm deri këtu tani nuk mund të tërhiqemi. Nuk ka asnjë skuadër që nuk do t’i donte të dy trofetë. Ne akoma më shumë se pse do të jetë trofeu i parë i këtij lloji për Skënderbeun”.
Laçi-Kukësi
Supersfida tjetër e ndeshjeve të dyta gjysmëfinaleve të Kupës do të luhet në laç, ku vendasit do të presin Kukësin, pas barazimit 0-0 në ndeshjen e parë. Kualifikimi për të dy skuadrat do të ishte historik, pasi asnjëra prej tyre nuk e ka provuar më parë shijen e finales. Por gjithashtu do të vlente edhe për të mbajtur gjallë shpresat për të fituar për herë të parë trofeun e dytë për nga prestigji në kampionatin shqiptar. Në rast se Skënderbeu arrin finalen, i kualifikuari i ndeshjes Laçi-Kukësi është automatikisht në Europa League, edhe nëse do të humbasë ndaj korçarëve në ndeshjen e fundit. Nga njëra anë qëndron Laçi, i cili luan në shtëpi dhe përveç potencialit të skuadrës së Stavri Nicës, mund të shfrytëzojë atmosferën e zjarrtë që do të krijojnë tifozët kurbinas. Në anën tjetër, kuksianët, të cilët kanë një skuadër më të mirë, nëse i referohemi klasifikimit në Superiore, ku renditen të dytët, e shikojnë këtë ndeshje si një mundësi për ta siguruar sa më parë pjesëmarrjen në Europa League. Por në Laç nuk do ta ketë aspak të lehtë, pasi kurbinasit premtojnë se verilindorët i pret ferri. “Do të thosha që këtu i pret ferri, do të jetë një ndeshje shumë e fortë”, theksoi drejtori teknik, Albert Sina. Ndërsa trajneri i laçianëve, Stavri Nica, tregohet i kujdesshëm në deklaratën e tij: “Ata do të kërkojnë që të shënojnë, prandaj ne duhet të jemi të përgatitur faktikisht. Shpresoj të jetë një ndeshje e bukur dhe kjo është një mundësi që nuk duhet ta lëmë të na ikë nga duart”. Drejtuesit laçianë kanë deklaruar 2 milionë lekë premio për kualifikimin. Por për Armando Cungun, kjo është ndeshja e vitit për Kukësin: “Shkojmë në Laç me besimin e plotë se do të shënojmë dhe do të shkojmë në finale, tha tekniku i kuksianëve. Kundërshtari demonstroi edhe në ndeshjen e parë vlerat e tij, por megjithatë për ne ajo që vlen sot, është të japim maksimumin për kualifikim”.
Pra, për të njohur finalistët duhen luajtur edhe këto 90 minuta të fundit, që premtojnë emocione të forta dhe luftë sportive pakompromis.