Tirana triumfon në derbin, barazon Skënderbeu, humbasin Shkumbini dhe Luftëtari


Altin Manallari


Shumë tifozë dhe emocione të forta, por në fund Tirana fiton derbin e madh me Partizanin. Turi i parë i Kupës së Shqipërisë ka dhuruar disa surpriza, por edhe shumë gola, ku gjithsesi pjesa dërmuese e skuadrave të Kategorisë Superiore kanë respektuar pritshmëritë, duke marrë rezultatet që e afrojnë më shumë kualifikimin për në turin tjetër.


Derbi i madh i kryeqytetit mes Partizanit dhe Tiranës ka rikthyer emocione të forta në futbollin shqiptar. Stadiumi “Qemal Stafa” ka pritur tifozët e shumtë të të dyja skuadrave, që, me gjithë diferencat e mëdha mes tyre, për hir se Partizani erdhi në këtë ndeshje si ekip i Kategorisë së Parë, ndërsa Tirana si një nga pretendentet për titull në Superiore, në fushë është parë një luftë e fortë sportive. Bardheblutë, që nuk e kishin nënvlerësuar aspak këtë sfidë, pasi në fushë zbritën me formacionin më të mirë, sigurisht që ishin më superiorë dhe shpejt zhbllokuan ndeshjen me golin e Morinës në minutën e 8. Por vetëm tri minuta më vonë, ka ardhur reagimi i Partizanit, që barazoi me anë të Thanës falë një 11-metërshi. Fillimi i ndeshjes ishte shumë entuziast. Mes tyre luhet një lojë e hapur, por kur dukej se pjesa e parë do të mbyllej në barazim 1-1, vjen goli i Gilman Likës në minutën e 43-të, që rikthen bardheblutë në avantazh. Edhe pjesa e dytë ka qenë emocionuese e me raste, por ka munguar goli, duke bërë që ndeshja të mbyllet me fitoren 2-1 të Tiranës, por kualifikimi mbetet i hapur për ndeshjen e kthimit. Në ndeshjet e tjera, bien në sy humbjet befasuese të Shkumbinit dhe Luftëtarit, përballë skuadrave që vinin nga kategoritë inferiore. Beratasit u mundën 2-1 në shtëpinë e Adës, peqinasit u dorëzuan para fitores 2-0 të Butrintit në Sarandë, ndërsa Gramshi triumfoi 2-0 ndaj gjirokastritëve të Nevi Dedes. Jo më pak surprizë është edhe barazimi i 2-2 i kampionëve në fuqi, Skënderbeut në kryeqytet ndaj Olimpikut të Kategorisë së Dytë. Në këtë sfidë trajneri Mirel Josa kishte aktivizuar shumë futbollistë të rinj apo edhe lojtarët e stolit. Ndërkohë që Vllaznia ka marrë një fitore 2-0 në Fushë-Krujë ndaj Ilirisë. Teuta koleksionoi një goleadë në Ersekë, ku mundi Gramozin 4-0. Besa nuk e ka mëshiruar Burrelin dhe falë një triumfi 4-1 është thuajse e sigurt për kalimin në turin tjetër. Kukësi fiton në Lezhë 4-2 ndaj Besëlidhjes. Ndërsa derbi mes Mamurrasit dhe Laçit ka shkuar në favor të të besuarve të Stavri Nicës, që kanë fituar këtë sfidë me rezultatin 3-0. Lushnja ka konfirmuar në Kupë formën e saj të mirë gjatë këtyre javëve të para të Kategorisë së Parë, duke shkatërruar me rezultatin më të thellë të këtyre ndeshjeve të para (5-0) Pogradecin. Ndërsa derbi i vogël mes Dinamos dhe Kamzës ka shkuar në favor të kamzalinjve falë fitores 1-0.


 


Derbi nr.134 – Partizani rivalizon denjësisht në fushë dhe në tribunat e “Qemal Stafës”, por fitorja në ndeshjen e emocioneve të mëdha i buzëqesh Tiranës normalisht më superiore


Surprizat – Skënderbeu frenon te barazimi 2-2 me Olimpikun, ndërsa Shkumbini, Tomori dhe Luftëtari janë mundur nga rivalët përkatës, që vinin nga kategoritë inferiore


Të mëdhenjtë – Pjesa dërmuese e skuadrave të Superiores kanë marrë fitore të rëndësishme, duke ia bërë më të lehtë vetes punën për kualifikimin për në turin tjetër të Kupës


 


 


Kupa e Shqipërisë


(Turi I)


 


Grupi A



  • Olimpik-Skënderbeu   2-2

  • Partizani-Tirana     1-2

  • Himara-Kastrioti          0-2

  • Iliria-Vllaznia 0-2

  • Butrinti-Shkumbini   2-0

  • Elbasani-Apolonia    0-0

  • Besëlidhja-Kukësi    2-4

  • Dinamo-Kamza    0-1


 


Grupi B



  • Gramozi-Teuta   0-4

  • Naftëtari-Flamurtari 0-1

  • Tërbuni-Bylis   0-2

  • Mamurrasi-Laçi  0-3

  • Ada-Tomori 2-1

  • Gramshi-Luftëtari    1-0

  • Burreli–Besa    1-4

  • Lushnja-Pogradeci    5-0