Nazmi Selmani adminsitratori i klubit të futbollit “Iliria” ka reaguar sot në lidhje me përplasjen e fundit me Skënderbeun dhe pretendimet për dhunë ndaj një prej futbollistëve të ekipit korçar.
Në një prononcim për “Shqipëria Live”, Selmani tha se ai vetë nuk ka qenë prezent, por është informuar se ka ndodhur një konflikt mes disa lojtarëve. Ai shprehet se ngjarja nuk duhej ekzagjeruar, pasi dhunë nuk ka patur.
“Unë nuk kam qenë prezent dhe kur shkova, më thanë që kanë bërë llafe. Më thanë që e kanë gjuajtur dhe më nxorën një djalë nga Egjipti. Ai djali nuk kishte asgjë, por po i bënin foto duke i ngritur buzën. U thashë që më shumë po çahen buzët e mija duke u pyetur juve. U thashë të uleshim dhe t’i sqaronim gjërat. Ishte dhe policia aty, arbitrat. U thashë se i prisja të gjithë. Më thanë jemi psikologjikisht keq.
Kur ne ishim në Korçë, vetëm na shanin malok etj. Por këto nuk duhet të ndodhin. Jam më shumë i stresuar se përse ndodhi dhe përse u bë kaq e bujshme. Nuk jam interesuar se kush është. Nuk duhet ta mbajë Korça vetën ‘ne jemi lule mos më prek’. Është e lehtë të bësh luftë në sport por duhet sqaruar ngjarja. Ne nuk kemi pamje sepse nuk ka kamera në dhomat e zhveshjes. I ka hequr policia vetë.
Fola me presidentin e Skënderbeut. Unë e telefonova por ai nuk ma hapi dhe më shkruajti, kemi folur me mesazhe. I thashë që nuk isha aty dhe i thashë që ata vetë duhet t’i qetësonin gjërat. Tani ndodhi ngjarja, por pse duhet t’i zmadhojmë gjërat kaq shumë.”– tha ai.




